7 maj 2015 –Ish-ministri Veliaj në mjaft takime, seminare, mbledhje etj. ka ngritur vazhdimisht problemin e mungesës së punëtorëve të kualifikuar në Shqipëri. Ai ka theksuar se biznesi në Shqipëri e ndjen mungesën e të tillë zanatçinjve, prandaj dhe vazhdimisht i ka nxitur të rinjtë shqiptarë të mësojnë një zanat. Të njëjtin problem ka edhe krimi i organizuar shqiptar, i cili gjithnjë e më shumë po detyrohet të rekrutojë të huaj, kur duhen aftësi speciale si psh. pilot avioni (rasti Riformato) apo skafist për skafe me klandestinë, drogë e armë.

Të mërkurën më 6 maj 2015, financierët italianë ndaluan një skaf me 28 klandestinë në bord, përkatësisht 20 meshkuj të rritur, 4 fëmijë dhe 4 gra.

Për çudi, skafisti ishte një shtetas italian 62-vjeçar me inicialet: M.G. nga qyteti i La Spezia-s. Skafisti kishte precedentë penalë po për trafik klandestinësh. Ai u arrestua menjëherë në kushtet e flagrancës. Skafi 10 metra i gjatë kishte lundruar në itinerarin ‘Rrugët e Bardha’ në jug të Portit të Vlorës për në gjirin Torre Cane (Kulla e Qenit) në jug të Portit të Brindizit. Pasi u transborduan klandestinët, skafi u konfiskua nga financierët italianë.

/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/