Gugash Magani, trajneri i Teutës, flet para përballjes me Vllazninë, teksa kërkon që skuadra e tij të luajë gjithçka për gjithçka, të mbrojë dhe sulmojë si një e vetme. Tekniku peqinas kërkon nga ekipi i tij që të mos përsërisë gabimet e bëra në ndeshjen me Flamurtarin, ndërkohë që Vllazninë e konsideron një ekip cinik që në fushën e vet po i merr pikët e plota.

“Kundërshtari është kthyer në një ekip cinik dhe në fushën e vet i ka pothuajse të gjitha ndeshjet me pikë të plota. Por, ne shkojmë në Shkodër për të bërë lojën tonë”, deklaron Magani”. Në ndeshjen e së shtunës do të jenë gati edhe Hila me Lukiç: “Do të ndërtojmë një formacion sulmues. Për ne është e rëndësishme që në çdo ndeshje të futemi për tri pikë. Nuk merremi me emrat e rivalëve, apo pozitat e tyre në renditje. Ne, çdo ndeshje duhet ta shikojmë si të barabartë, pasi vetëm kështu merret maksimumi”.

Në fund Magani flet edhe për brazilianin Bernardo, i cili u shpreh i habitur për zëvendësimin ndaj Flamurtarit. “Nuk ia vlen të merresh me një deklaratë që s’ka shumë rëndësi. Mendojse është emocionale. Jam unë ai që e shikoj më së miri se kush duhet zëvendësuar dhe se si po luan, ashtu siç jam unë që mbaj përgjegjësinë kryesore për ecurinë e ekipit”.