Një nga automjetet e përdorura nga Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Betlehem në vitin 2014 do të kthehet në një klinikë të lëvizshme për të ndihmuar fëmijët në Rripin e Gazës – një nismë që vjen si dëshira e fundit e Papës, para ndarjes nga jeta muajin e kaluar.
Sipas organizatës humanitare Caritas, automjeti po pajiset me të gjitha mjetet e nevojshme për kujdesin mjekësor: teste të shpejta, vaksina, shiringa, komplete qepjeje, furnizime me oksigjen dhe një frigorifer për ruajtjen e ilaçeve. Qëllimi është të ofrojë ndihmë urgjente për fëmijët e lënduar, të zhvendosur dhe të kequshqyer.
Makina ndodhet aktualisht në Betlehem dhe pritet të hyjë në Gaza sapo të lejohet një korridor humanitar nga Izraeli.
UNICEF raporton se që nga shpërthimi i konfliktit në tetor 2023, më shumë se 15 mijë fëmijë janë vrarë në Gaza dhe afro një milion janë zhvendosur.
“Me këtë automjet do të jemi në gjendje të arrijmë tek fëmijët që sot nuk kanë asnjë qasje në kujdes shëndetësor”, tha Peter Brune, Sekretari i Përgjithshëm i Caritas.
Kjo iniciativë simbolike dhe humanitare vjen në një moment kur Gaza përballet me një krizë të thellë humanitare dhe përfaqëson një mesazh të fortë paqeje e dhembshurie nga Papa Françesku.