2 humbje në dy ndeshje, 6 gola të pësuar dhe vetëm një i shënuar, saldojnë Man.United në fundin e klasifikimit. Askush nuk e imagjinonte një fillim të tillë, starti më i keq në historinë e klubit. Trajneri Ten Hag ka zgjedhur “dorën e hekurt” për të kthyer ekipin në “shina”, por situata duket shumë e vështirë, qartësisht brenda ekipit ka një përçarje të thellë.Kjo situatë nisi një vit më parë që në momentin kur CR7 u rikthye në “Old Traford”, ylli portugez mbetet sërish një temë e nxehtë që po shqetëson jo pak drejtuesit e klubit.

Mediat angleze i kanë kushtuar faqen e parë situatës që po ndodh në shtëpinë e “djajve të kuq”, ku sipas Daily Express senatorët e ekipit i kanë bërë një thirrje të qartë drejtuesve: “Shpëtoni sezonin”, duke i kërkuar përforcime. Në fakt një thirrje të tillë e bëri edhe vetë trajneri Ten Hag pas ndeshjes kundër Brentford ku kërkoi përforcime të cilësore dhe sa më shpejt të jetë e mundur.