Teuta kërkon të vazhdojë me serinë e fitoreve edhe në Shkodër. Edhe pse në Durrës e dinë shumë mirë që nuk do të jetë e lehtë për të siguruar tri pikët, sërish ata do të luftojnë për të dalë me fitore nga stadiumi “Loro Boriçi”.Në prag të kësaj ndeshjeje që do të luhet të shtunën ka folur një prej ish-sulmuesve më të mirë të dekadës së kaluar te Teuta, Bledar Mancaku. Ish-kapiteni që prej disa muajsh bën detyrën e trajnerit në akademi mendon se këtë herë Teuta duhet të jetë shumë e kujdesshme ndaj Vllaznisë. Ai vlerëson shkodranët për kualitetet që kanë në përbërje, por gjithashtu beson shumë se durrsakët mund ta godasin Vllazninë si në Superkupë.

Bledar, Teuta i bëri një nisje fantastike sezonit. Si e patë ndeshjen kundër Partizanit?

Fitorja me Partizanin mendoj se i ka çliruar lojtarët. Ishte një ndeshje me rëndësi të madhe, pasi është java e parë dhe gjithnjë e vështirë. Ekipi bëri detyrën duke marrë më të mirën. E kishin studiuar kundërshtarin dhe pritën momentin e duhur për ta goditur. Kjo më kënaqi më tepër tek ajo që pashë në Elbasan. Kalendari nuk i favorizon durrsakët pasi në javën e dytë Teutën e pret një ndeshje delikate në Shkodër.

Si e parashikoni?

Vërtet është një ndeshje e vështirë, pasi Vllaznia ka një ekip me kualitete. Gjithsesi, skuadra jonë duhet të jetë shumë e përqendruar. Duke dhënë maksimumin në këtë takim jam i bindur që Teuta do të vijojë me rezultate pozitive.

Në këtë fillim kampionati mendoni se Teutës i shkon për shtat edhe një pikë ndaj një rivali si Vllaznia?

Çdo ndeshje është histori më vete, prandaj dhe futbolli është i bukur. Teuta luan kundër një ekipi që është pretendent për titullin kampion. Gjithashtu shkodranët kanë edhe cilësi në përbërjen e tyre. Teuta thjesht duhet t’i respektojë duke tentuar të fitojë ndeshjen. Kjo është e vetmja zgjidhje për Teutën në momentin që flasim. Pak javë më parë durrsakët fituan Superkupën pikërisht ndaj Vllaznisë.

Çfarë prisni ndryshe këtë herë?

Ndeshjet ndryshojnë në specifikat që kanë nga njëratjetra. Mund të them se këtë herë do të jetë një ndeshje më e fortë dhe që nga Teuta duhet luajtur me shumë kujdes dhe përqendrim në 90 minuta.

Në raport me ekipet rivale për titull, si e shihni Teutën?

Të them të drejtën është vetëm java e parë, por e shoh që kampionati është shumë i fortë dhe me rivalitet. Kështu besoj do të jetë deri në fund dhe nuk mund të flasim për favoritë.

Sulmuesi Gjorgiev gjeti golin e parë ndaj Partizanit. Me aq sa e keni parë, ju bind?

Qëllimi i një sulmuesi, sa herë aktivizohet është të arrijë të shënojë. Mbi të gjitha, golat janë të rëndësishëm për ekipin. Nëse fiton, objektivi është i arritur edhe për këtë takim. Por, nëse fiton ekipi dhe ai shënon atëherë bëhet ndeshje perfekte edhe për të. E rëndësishme është të mbajë ritmin edhe në Shkodër