Marc Marquez mezi pret të ketë në duar një Ducati. Pas vështirësive në vitet e fundit me Honda-n, piloti spanjoll është gati për aventurën e re për të bërë një ndryshim në karrierën e tij, i rrënuar nga dëmtimet dhe problemet me motorin.

“Tek Honda gjithçka ishte kthyer në një makth të vërtetë që nga viti 2020, por vetëm koha do të tregojë nëse vendimi do të jetë i duhuri”, shpjegoi ish-kampioni i botës në një intervistë dhënë për faqen e MotoGP.

Oferta nga Ducati  – “Gjithmonë ka dyshime pas marrjes së një vendimi të rëndësishëm, është e vështirë të ndryshosh motorin dhe të fitosh menjëherë. Megjithatë, duhet të kemi parasysh që në vitin 2024 do të ngas motorin më të mirë, për këtë arsye nuk do të kem justifikime. Tre drejtuesit më të mirë në Kampionatin Botëror janë të gjithë nga Ducati”.

Gara për titull – “Kthimi në punë më emocionon, do të jenë tre gara shumë intensive. E para me të cilën përballemi është Sepang, një cirkuid që përfaqëson gjithmonë një sfidë për ne. Ishim të fortë në disa nga garat e fundit, por sinqerisht mendoj se do të jetë e vështirë në Sepang. Këndet më të gjata ishin më të vështira për ne këtë vit, por padyshim që do të vazhdojmë të përpiqemi dhe të shohim se çfarë është e mundur. Unë dua të filloj këtë pjesë të fundit të kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Marquez.