Kreu i PD, Sali Berisha ftoi deputetët socialistë që të largohen nga Edi Rama. Gjatë konferencës për shtyp nga selia blu, Berisha tha se kjo i hap rrugë shkarkimit të kryeministrit Edi Rama me mocion mosbesimi në Parlament.

Deklarata e Berishës erdhi pasi ‘Neomalsorja’, deputetja Marjana Koçeku, braktisi grupin parlamentar socialist 2 ditë më parë.

Pyetje: Nëse mund të na bëni një koment në lidhje me disa zëra kundër brenda Partisë Socialiste dhe daljen si e pavarur e një deputeteje të Partisë Socialiste. Nëse keni një koment për këto zhvillime brenda PS-së?

Sali Berisha: Unë vlerësoj çdo zë kundër Edi Ramës dhe në mbështetje të protestës.
Unë rikujtoj këtu shqiptarët, se një zgjidhje plotësisht e mundshme do të ishte, dhe është; në qoftë se Edi Rama nuk pranon zgjidhjen, një zgjidhje tjetër paqësore siç e kërkojnë protestuesit, është largimi i të gjithë deputetëve socialistë që nuk janë të implikuar në krime dhe kjo i hap rrugën shkarkimit me mocion mosbesimi Edi Ramës.
Kjo shkarkon në vend Edi Ramën dhe krijon në parlament një mundësi për plotësimin e të gjitha kërkesave, si të 5 kërkesave të tyre ashtu dhe të një liste tjetër me 20 kërkesa duke i analizuar një nga një ato.
Pra, opozita i ka dhe do t’i ketë të gjitha votat në favor, pa asnjë hezitim, të kërkesave kushtetuese të të drejtave dhe që janë të tilla, të drejta janë dhe janë kushtetuese, të protestës rinore qytetare.