Ministrat e Financave të Bashkimit Europian kanë arritur marrëveshje për krijimin e një organi të përbashkët mbikëqyrës për bankat e eurozonës, një përpjekje kjo për të zgjidhur një nga përbërësit kyç të vështirësive financiare të kontinentit. Marrëveshja i jep Bankës Qendrore Europiane kompetenca të gjera për mbikqyrjen e bankave në 17 vendet që përdorin monedhën euro, si dhe të institucioneve në vendet e tjera të BE-së që zgjedhin të bëhen pjesë e sistemit.
 
Bashkimi Europian hodhi sot një hap të madh drejt realizimit të një prej transferimeve më të rëndësishme të autoritetit financiar që i hiqet kryeqyteteve kombëtare, kur vendet anëtare ranë dakord për të krijuar një organ të përbashkët mbikëqyrës për bankat e tyre.

Marrëveshja politike u arrit nga ministrat e financave të shteteve anëtare të BE-së në orët e para të ditës së sotme.

Marrëveshja politike – e cila ende duhet të miratohet nga parlamenti, bën që Banka Qendrore Evropiane të jetë i vetmi organ mbikëqyrës i bankave të 17 vendeve të eurozonës si dhe të çdo vendi tjetër në Bashkimin Evropian që zgjedh të jetë pjesë e sistemit.

Ajo i jep Bankës Qendrore fuqi gjithpërfshirëse dhe hap rrugën për fondin europian të shpëtimit, i cili do të ndihmonte drejtpërdrejt bankat me probleme, një masë që konsiderohet jetike për nxjerrjen e Europës nga kriza tre-vjeçare e borxhit.

BE-ja i kishte premtuar tregjeve se do të arrihej një marrëveshje e përgjithshme para Vitit të Ri dhe ministrat e financave e arritën këtë gjatë një tjetër takimi emergjent të zhvilluar gjatë natës.

Sipas marrëveshjes, bankat me asete me vlerë më të lartë se 30 miliardë euro ose ato që përfaqësojnë 20 për qind të prodhimit të brendshëm të përgjithshëm në ekonomitë e tyre kombëtare do të vendosen nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Bankës Qendrore Evropiane.

Banka Qendrore mund të vendosë gjithashtu të mbikqyrë çdo bankë tjetër të vendeve të eurozonës apo të vendeve të tjera të BE-së që zgjedhin të bëhen pjesë e këtij sistemi.