Gjykata e Dibrës ka caktuar masën arrest me burg për Hazbi Velsulën, 31 vjeçari i cili akuzohet për vrasjen e kushëririt të tij, Selim Velsula, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë (11 Qershor) në Klos.
Gazetari Enver Doçi raporton se autori nuk ka dhënë asnjë deklaratë për motivin e krimit gjatë gjyqit sot, duke kërkuar prani të avokatit mbrojtës dhe duke refuzuar të bashkëpunojë me hetuesit.
DINAMIKA E VRASJES
Viktima mësohet se jetonte prej vitesh në fshatin Xibër-Murrizë të bashkisë Klos së bashku me bashkëshorten e tij dhe kishte një jetë të qetë. Rreth orës 16:00, ai i kishte kërkuar gruas që ta ndihmonte për të nxjerrë bagëtinë në pronat e tyre mbi fshat.
Pasi kishte nxjerrë bagëtitë, viktima ishte kthyer për të marrë një shishe me ujë dhe ishte afruar sërish në zonën ku mbante bagëtinë.
Në ato momente kushëriri i tij, 32-vjeçari Hazbi Velsula, i cili prej vitesh jetonte në zonat rurale të Tiranës, por kohët e fundit ishte rikthyer në pronat familjare në Xibër, i kishte bërë thirrje viktimës të afrohej, duke i thënë se kishte “një muhabet”.
Më pas e ka sulmuar me thikë duke e goditur disa herë dhe i ka shkaktuar plagë të rënda. Selim Velsula ka rënë menjëherë në tokë nga goditjet, ndërsa autori është larguar nga vendngjarja duke u arratisur.
Viktima, edhe pse i plagosur rëndë, ka tentuar të kthehet drejt banesës, por nuk ia ka dalë. Në rrugën e fshatit është gjetur i shtrirë dhe pa shenja jete nga një banor i zonës, i cili po shkonte të merrte ujë për vaditje. Ky i fundit ka njoftuar menjëherë bashkëshorten e viktimës dhe më pas banorët e tjerë.
Mësohet se autori i dyshuar, Hazbi Velsula, pas krimit ka telefonuar motrën e tij, duke i thënë: “E bëra vrasjen me mjet prerës.”
Motra ka njoftuar policinë dhe forcat e policisë kanë rrethuar zonën ku ishte fshehur autori. Dyshohet se autori i ngjarjes vuante nga probleme të shëndetit mendor.