Shtrëngimi dhe masazhi mund të jenë parandalues të mirë kundër zhvillimit të qelizave kancerogjene në gjinj. Ky është përfundimi i një hulumtimi, eksperimentet laboratorike të të cilit kanë treguar se përdorimi i presionit fizik kthen qelizat në madhësi normale.

Shkencëtarët besojnë që ky hulumtim ka sjellë përfundimin, i cili mund të iniciojë trajtime të reja në shërimin e kancerit të gjirit.

“Njerëzit prej shekujsh e dinë që presioni fizik mund të ndikojë në trupin tonë. Kur i ngremë peshat, muskujt na bëhet më të mëdhenj. Forca e gravitacionit është kyç për forcën e eshtrave tona. Këtu dëshmojmë që presioni fizik mund të luajë rol në rritjen dhe reduktimin e qelizave kancerogjene”,- thotë Gautham Venugopalan, udhëheqës i hulumtimit në Universitetin California.

Studimi ka hulumtuar rritjen e qelizave epiteliale malinje në gji me injektimin e xhelit në dhomëzat fleksibile të silikonit.

Kjo u ka mundësuar shkencëtarëve të bëjnë presion gjatë fazës së parë të rritjes së qelizave dhe në mënyrë efektive t’i ngjeshin qelizat. Me kohë, qelizat e ngjeshura kanë filluar të rriten në mënyrë normale dhe të organizuar.

Kur është formuar struktura e indit të gjirit, qelizat janë ndalur së rrituri edhe pse presioni është hequr. Qelizat në tëcilat nuk është bërë presion kanë vazhduar të rriten në mënyrë të pakontrolluar, çka ka çuar në krijimin e kancerit.

“Qelizat malinje nuk kanë harruar tërësisht se si kanë qenë derisa kanë qenë të shëndetshme, ato vetëm duhet të orientohen për t’iu kthyer zhvillimit të shëndetshëm”,- ka thënë Venugopalan.

Rezultatet e hulumtimit janë prezantuar ditë më parë në takimin vjetor të shkencëtarëve të Shoqërisë amerikane për biologji qelizore në San Françisko.