E quajti masë sigurie dhe jo masë ekonomike vendimin e marrë në mesin e qershorit përmes të cilit u ndalua hyrja e mallrave serbe në Kosovë.

Vendimi qe në fakt nuk u bë zyrtar, ishte marrë pasi forcat serbe kapën tre policët kufitarë në territorin e Kosovës dhe i dërguan në paraburgim. Kurti pretendonte asokohe se masat nuk ishin ekonomike apo tregtare, por të sigurisë. Pak ditë më parë, Radio Evropa e Lirë raportoi se Mitrovica e Veriut ka mbetur pa mallra serbe për herë të parë pas luftës dhe se mungesa e këtyre mallrave po vërehej edhe në komunat tjera të Kosovës.

Pasi serbët u ankuan se ka pothuajse dy muaj që Qeveria e Kosovës i ka lënë pa mall ra serbe, një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë i tha portalit “Kosovo Online” se duke qenë se Kosova dhe Serbia përpiqen për integrim europian, duhet të ndërmarrin veprime “që promovojnë më tej qarkullimin e lirë të mallrave përtej kufijve të saj, jo veprime që e pengojnë atë”.

“Siç thamë edhe më herët, ne mbështesim iniciativat që mundësojnë qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, duke forcuar sundimin e ligjit në të gjithë rajonin. Pasi që Kosova dhe Serbia përpiqen për integrim europian, të dyja vendet duhet të ndërmarrin veprime që promovojnë më tej qarkullimin e lirë të mallrave përmes kufirit të tyre dhe jo veprimet që e pengojnë atë”, ishte komenti i zëdhënësit. Ambasada e SHBA-së ka rikujtuar edhe deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken pas bisedës telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti më 26 qershor, duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i shmangin veprimet që mund të interpretohen si përshkallëzuese dhe të kthehen menjëherë në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Europian.

“Siç kemi thënë prej disa kohësh dhe siç ka thënë Sekretari Blinken pas bisedës me Kryeministrin Kurti më 26 qershor, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i de-përshkallëzojnë tensionet, t’i shmangin veprimet që mund të interpretohen si përshkallëzuese dhe menjëherë t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Presim që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e tyre nga Marrëveshja e Ohrit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane.