Autoritetet europiane kanë goditur një rrjet të madh kriminal që shiste ilaçe dhe suplemente të falsifikuara për sëmundje të rënda në disa vende të Europës.
Sipas të dhënave nga Eurojust, grupi dyshohet se ka përfituar rreth 240 milionë euro nga shitja e produkteve mashtruese që u prezantoheshin pacientëve si kura për sëmundje serioze.
Operacioni është zhvilluar më 12 maj në 15 shtete dhe ka përfshirë kontrolle në mbi 100 ambiente, mes tyre në Bullgari, Greqi, Hungari, Poloni, Rumani dhe Moldavi.
Gjatë aksionit janë sekuestruar produkte, janë mbledhur prova dhe janë marrë në pyetje disa dëshmitarë, ndërsa disa persona janë ndaluar.
Hetimet tregojnë se rrjeti kishte ngritur kompani dhe faqe interneti që nga viti 2019, përmes të cilave shiste mbi 400 produkte të paautorizuara.
Për të mashtruar qytetarët, ata përdornin reklama online, emra të rremë mjekësh dhe figura të njohura, duke i paraqitur suplementet si trajtime efektive për sëmundje të ndryshme.
Pacientët kontaktoheshin më pas nga persona që prezantoheshin si mjekë ose specialistë dhe i bindnin të blinin produktet përmes telefonit ose internetit.
Autoritetet thonë se këto suplemente nuk kishin efekt mjekësor dhe përmbanin përbërës të ngjashëm, pavarësisht pretendimeve për trajtime të ndryshme. Hetimet për rastin vijojnë.





