Nis shpërndarja në shkolla e 39 programeve orientuese lëndore për provimet e Maturës Shtetërore. Këto programe, nxënësit e shkollave të mesme mund t’i gjejnë edhe në faqen zyrtare të MASH. Sipas rregullores, provimet duhet t’i përmbahen plotësisht këtyre programeve. “Asnjë pyetje nuk do të jetë jashtë tyre, maturantët do të kenë kohë të studiojnë temat deri në momentin që do t’i nënshtrohen testimit për provimet e detyrueshme dhe ato me zgjedhje”, sqarojnë specialistët e Ministrisë së Arsimit. Sipas tyre, synohet që nxënësit të përqendrohen në tematikat më të rëndësishme të lëndëve që ata kanë zhvilluar në 3 vitet e gjimnazit. Për shkak të kurrikulave të reja me të cilat punojnë gjimnazet që prej 4 vitesh, programet orientuese janë të grupuara sipas lëndëve bërthamë, të thelluara. Të ndara veç janë programet e gjuhëve të huaja.

Këtë vit, për herë të parë një maturant do të ketë të drejtë të caktojë si lëndë me zgjedhje 2 gjuhë të huaja, me kusht që njëra të jetë gjuhë e parë dhe tjetra gjuhë e dytë. Diferenca mes tyre janë kreditet që i përkojnë secilës. Gjithashtu, ndryshe nga viti i kaluar, maturantët këtë vit do të japin vetëm dy lëndë me zgjedhje. Vitin e shkuar, MASH u kishte dhënë mundësinë të përzgjidhnin tri të tilla, por procesi rezultoi jo efektiv. Një tjetër risi e Maturës Shtetërore për këtë vit do të jetë plotësimi online i formularit A1. Në këtë mënyrë, sipas drejtuesve të MASH, do të përfundojë dixhitalizimi i plotë i Maturës, që nisi vjet me formularët A2 dhe A3. Një maturant nuk do të mund të pajiset me diplomën e Maturës Shtetërore, në rast se rezulton mbetës në njërin prej 4 provimeve. Maturantët e viteve të mëparshme, të cilët kanë marrë nota kaluese për një pjesë të provimeve, mund t’i mbartin ato. Ministria e Arsimit po sheh mundësinë e rritjes së kontrollit për të mos lejuar kopjet me celularë gjatë provimeve.

Pavarësisht masave të marra, ato ishin vitin e kaluar një prej problemeve më të mprehta të Maturës Shtetërore. Pavarësisht përpjekjeve të MASH për të zbatuar rregulloren e provimeve, nxënësit gjetën mënyra nga më të ndryshmet për të futur në klasa celularë, duke i përdorur për të marrë të gatshme përgjigjet e pyetjeve. Ministria e Arsimit është në tratativa me kompanitë celulare, që këtë vit të rrisë masat e sigurisë. Kjo do të arrihet duke shtuar administratorët e provimeve, por me një metodë të re. Aparaturat që bllokojnë valët e celularëve janë parë si mënyra më e mirë për t’i shmangur kopjet gjatë provimeve.

Korrigjimi

Korrigjimi i testeve do të bëhet në 6 qendra, nga dy duar vlerësuesish. Në rregullore janë përcaktuar kriteret që duhet të plotësojë çdo mësues që do të zgjidhet të jetë pjesë e procesit të vlerësimit. Në rregullore është shtuar kushti për të mos ndarë nga një qendër në tjetrën testet e së njëjtës shkollë.

Formulari A1, plotësimi brenda 10 marsit

Formulari A1 për herë të parë këtë vit do të plotësohet online. Ky është një nga ndryshimet e Rregullores së Maturës të këtij viti, e cila tashmë është gati. Sipas saj, brenda datës 10 mars maturantët duhet të caktojnë lëndët me zgjedhje duke përdorur në rrjet kartën e identitetit. Formulari A1 do të jetë gati brenda datës 20 shkurt. Aplikimi do të bëhet në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve dhe në adresën e e-mail-it secilit kandidat do t’i dërgohet kodi personal i aplikimit. Në rregullore janë përcaktuar të gjitha kushtet që duhet të plotësojnë nxënësit për 4 provimet.