TIRANE– Përgatitja për Maturën Shtetërore ka nisur revanshin. Shkollat hyjnë në fazën e konsultimeve me maturantët për përgatitjen mësimore dhe sqarimin për mënyrën e renditjes së degëve. Nga kontakti që patëm me drejtorët e shkollave dhe maturantët, arritëm të kuptojmë realisht se çfarë po ndodh. Janari është muaji i hyrjes së maturantëve në zonën e nxehtë, kur ata marrin në dorë Programet Orientuese, të cilat pritet të dalin nga di-ta në ditë, sipas udhëzimeve të MASH-it për Maturën Shtetërore 2013. Shkollat kanë shtuar intensitetin e konsultimeve. “Qemal Stafa” ka caktuar orën 07.00 të mëngjesit, për të bërë konsultime teorike, për mënyrën e plotësimit të formularëve A1 dhe A2 dhe ushtrime për provimet me detyrim dhe me zgjedhje.

Drejtori i Shkollës “Qemal Stafa”, Ardian Boriçi shprehet se testimet do të stërvitin nxënësit për të qenë të saktë në përgjigje dhe është mundësia më e mirë për të kapur defektet e mësuesve. “Nxënësit bëjnë konsultime me mësuesit e matematikës dhe letërsisë. Ata vijnë në orën 07.00 dhe deri në 08.00 të mëngjesit, zhvillojnë konsultime me mësuesit e lëndëve përkatëse. Më pas fillon ora e zhvillimit normal të planit mësimor. Në vijim ne kemi planifikuar të bëjmë edhe provime testuese të herëpashershme që të shohim se cilat janë problematikat e nxënësve dhe t’i riparojmë gjatë punës sonë në pjesën e dytë të vitit”.

Konsultimet bazë janë matematika dhe letërsia, të cilat janë provim me detyrim. Por, shumica e maturantëve nuk e dinë ende se cilat lëndë do të rendisin në provimet e lëndëve me zgjedhje. Konsultimet bëhen mbi bazë të përsëritjes së lëndëve të klasës së dhjetë dhe njëmbëdhjetë, pasi klasa e dymbëdhjetë po vijon dhe nuk ka nevojë të përsëritet. Mësuesit planifikojnë që në përsëritje të ketë shpjegime të teorisë dhe më pas të ushtrimeve. Gjithashtu do të ketë zhvillime të esesë për lëndën e letërsisë. Nxënësit do të kenë kohë dy javë para provimeve që të konsultohen intensivisht me mësuesit. Drejtori Ardian Boriçi shprehet se mësuesit punojnë jashtë orarit të punës për të arritur rezultate të larta. Ka nga ato shkolla që nuk e kanë nisur procesin e konsultimeve, siç është “Arben Broci”.

Drejtoresha e shkollës Xhemile Ismaili, shprehet se është në pritje të urdhrit zyrtar të MASHit për çeljen e procedurave dhe njohjen zyrtarisht me ndryshimet në Maturën 2013. “Sapo urdhri të na vijë në dorë, atëherë do të nisim konsultimet me maturantët”, shprehet Ismaili. Para se t’i nënshtrohen provimeve, çdo maturant duhet të ketë plotësuar 90 kredite, nga 96 që është maksimumi. Në të kundërt, atyre u digjet viti shkollor. Çka do të thotë se përveç provimeve të detyruara të matematikës dhe letërsisë, ka lëndë me zgjedhje si matematikë e thelluar, kimi e thelluar etj., që mund të zgjidhen nga maturanti për të plotësuar kreditet.