Një farmaciste dhe një shitëse janë proceduar penalisht në Gjirokastër pasi mbanin dhe tregtonin medikamente mjekësore të dyshuara kontrabantë.

Me finalizimin e operacionit “Medicines” u proceduan penalisht:

– I. S., 37 vjeçe, banuese në Gjirokastër, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”.

“Gjatë kontrollit në automjetin e kësaj shtetaseje u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat kjo shtetase i shiste në farmacinë e saj,” njoftoi policia.

– N. A., 44 vjeçe, banuese në Gjirokastër, për veprën penale “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin (dyqanin) në pronësi të kësaj shtetaseje u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat kjo shtetase i shiste në këtë dyqan,”  njoftoi policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.