Një tjetër operacion kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike është zhvilluar në Lezhë, ku janë proceduar penalisht gjashtë persona, mes tyre edhe shtetas të huaj.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Lezhë kanë referuar materialet në Prokurori, duke nisur procedimin penal për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Të dyshuarit janë identifikuar si A. J., 25 vjeç, F. Y., 30 vjeç, si dhe shtetasit e huaj D. C., 33 vjeç, K. A., 37 vjeç, P. P., 34 vjeçe dhe A. H., 33 vjeç.

Gjatë kontrollit fizik dhe në automjetet me të cilat qarkullonin në zonën e Shëngjinit, efektivët e Policisë kanë sekuestruar sasi të vogla lëndësh të dyshuara narkotike të llojit kokainë, kanabis dhe ekstazi. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse të proceduarit janë pjesë e një rrjeti më të gjerë shpërndarjeje të drogës në zonën bregdetare.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Lezhë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për shtetasit A. J., 25 vjeç, F. Y., 30 vjeç dhe për shtetasit e huaj D. C., 33 vjeç, K. A., 37 vjeç, P. P., 34 vjeçe dhe A. H., 33 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik ndaj tyre dhe në automjetet me të cilat ata qarkullonin, në Shëngjin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të vogla të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë, kanabis dhe ekstazi”, njoftoi policia.