·Nis sezoni turistik i lundrimeve, priten 11 anije të mëdha turistike
DURRËS, 27 maj 2015 – Të enjten, më 28 maj 2015, në portin e Durrësit mbërrin kroçera “Thomson Majesty”, me 1518 turistë në bord. Kjo është kroçera e parë e këtij sezoni në portin më të madh të vendit dhe do të pasohet nga 10 të tjera, që kanë konfirmuar tashmë lundrimin e tyre drejt Durrësit, njofton zyra e shtypit e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të personit juridik publik “Autoriteti Portual Durrës” (APD).
Anija turistike parashikohet të hyjë në portin e Durrësit rreth orës 8.00 paradite dhe do të bregëzohet në kalatën 5. APD-ja ka marrë të gjitha masat për bregëzimin e anijes dhe mikpritjen e turistëve.
Nga burimet e agjencisë pritëse “Intermed Shiping” mësohet se kroçera do të sjellë 1 518 turistë nga 13 vende të ndryshme të botës. Pjesa më e madhe e tyre, 1 410 janë britanikë, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga Irlanda (37), Spanja (18), Meksika (33), si dhe Australia, Italia, Kroacia, Greqia, SHBA, Malajzia, Ukraina, Holanda dhe Franca. Me sa duket, numri i udhëtarëve mbi atë normal (1 460 udhëtarë dhe 1 970 maksimumi). Kroçera është pjesë e një turi dyjavor, që ka nisur në Korfuz më 15 maj 2015 dhe do të përfundojë po në ishullin grek pas dy ditësh. Ndërkohë turistët kanë vizituar edhe portet në Mikonos, Kusadasi, Pireu, Chania, Kalamata, Ravena, Venecia, Rijeka dhe Dubrovnik.
Info
Operator: Thomson Cruises (Britani e Madhe)
Pronar: Louis Cruise Lines (Qipro)
Port regjistrimi: La Valeta (Maltë)
Viti i ndërtimit: 1991, rikonstruktuar më 1999
Ndërtuesi: Wärtsilä Marine/Kvaerner Masa-Yards, Turku, Finlandë
Tonazhi: 40 876 GT
Gjatësia: 207.1 m
Gjerësia: 32.3 m
Zhytja: 6.20 m
Thellësia: 14 m
Kuverta: 9 (të aksesueshme për udhëtarët)
Shpejtësia: 20 nyja (37 km/orë)
Kapaciteti: 1 460 udhëtarë (1 970 maksimum)
Ekuipazhi: 620
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/