Pas kronikave problemore të ngritura në “DurrësLajm”, mbi shqetësimet e turistëve që mbërrijnë me kroçera në portin e Durrësit, ka reaguar edhe Autoriteti Portual.
Porti i Durrësit me prioritet dhe zhvillim tërësisht e thellësisht tregtar, parashikon që në 2016-n, të vërë në dispozicion të pritjes së mijëra turistëve që mbërrijnë me kroçera, dy kalata të tij.
“Vitin e ardhshëm, në kalatën numër 7 dhe 8, do të ndërhyhet në infrastrukturë, që turistët e huaj që vijnë me kroçera të mos kalojnë poshtë sillosëve të grurit, apo midis tubacioneve dhe materialeve të tjera që depozitohen në kalatën numër 5”.
Kreu ekzekutiv i APD-së Gazmend Shalsi deklaroi ndër të tjera se problematika e ngritur është marrë me seriozitet nga APD-ja.
Kjo është hera e parë që APD parashikon të mirëpresë në kalata të veçanta turistët e huaj, që vijnë me anije turistike.
Agjencitë turistike, portin më të madh të vendit, Durrësin, e kanë futur në axhendat e vizitave krahas porteve të tjera nga Kroacia deri në Greqi. Prezantimi i tyre i parë me vendin tonë, bëhet pikërisht nga kalata numër 5 pasi konteinerët zënë pjesën kryesore të fushë-pamjes, ndërsa në sheshet pranë me ditë të tëra qëndrojnë mallra të ndryshme ndërtimi. Por sapo të zbresin një tjetër surprizë i pret turistët. Ata duhet të kalojnë poshtë qypave të grurit.
Në asnjë port nuk ndodh që në kalatat e ndërtuara e të shfrytëzuara për mallrat të ndryshëm, të priten turistët. Nuk ndodh që mbi kokat e tyre të qëndrojnë vinçat e tonazheve të ndryshëm. Më shumë se sa domosdoshmëri, është nevojë urgjente që edhe në portin e Durrësit, ankorimi i anijeve turistike të shikohet me vëmendje. Turistët nuk mund të kalojnë poshtë qypave të grurit, dhe as të përballen me imazhe të shëmtuara në momentin e parë të vizitës në portin tonë, apo të largimit nga Shqipëria. Imazhi shet, e në këtë rast, imazhi i portit të Durrësit nuk të lë mbresa të bukura, apo të veçanta për t’u mbajtur mend gjatë në memorie.
K.H.





