Mbrojtësi i skuadrës së Teutës, Artan Jazxhi, rrëfen gjithçka. Sezonin e ri e pret të jetë i suksesshëm. Lojtari durrsak është i bindur se Teuta do të bëjë një kampionat të veçantë, ndonëse pas shumë vështirësive bëri një mbyllje të mirë këtë sezon.

Artan, si e vlerësoni këtë sezon?

Teuta ka pasur grup. Do të punojmë që të jemi sa më të fortë. Lojtarët që erdhën, së bashku me ne që ishim, i dhamë një dorë të mirë. Mendoj se jemi në nivelin e duhur për të ndihmuar Teutën. Sezoni i ri po afron, por mendoj se deri atëherë do të jemi gati për të synuar sa më lartë.

Sa shanse ka Teuta të fitojë një trofe ketë sezon?

Shanset mendoj që janë të mëdha, e rëndësishme është që ne të japim maksimumin. Të luajmë siç kemi luajtur në këtë fund faze të 4-t. Të rregullojmë daljet në sulm, mendoj që do të bëjmë gjëra të mira. Lojtarët e ardhur, kanë pasur shumë pak kohë për t’u ambientuar. Sulmuesit nuk duhen parë në një ndeshje. Në vazhdim do t’i shohim dhe sulmuesit. Mendoj që do të japin maksimumin. Konkurrenca është e madhe dhe mendoj se është gjë e mirë për ekipin dhe trajnerin.

Si është gjendja juaj aktuale, pasi keni pësuar një dëmtim, gjë që ju detyroi të luanit i dëmtuar në disa ndeshje…

Aktualisht që po flasim, po vijoj me ushtrime, të cilat m’i ka dhënë stafi mjekësor. Dita-ditës po vij në formën e duhur optimale. Deri në fillim të përgatitjeve do të bashkohem me grupin për të vijuar stërvitjen.

Në aspektin personal, a keni ndonjë objektiv për sezonin e ardhshëm?

Dua të bej maksimumin për këtë skuadër. Normalisht që një nga dëshirat është të fitoj një trofe këtë sezon. Është gjëja më e bukur për çdo lojtar profesionist.