Conor McGregor u arrestua në perëndim të Dublinit mbrëmjen e djeshme teksa po ngiste Bentley Continental GT me vlerë rreth 170,000 euro. 33-vjeçari irlandez përfundoi në pranga për drejtim të rrezikshëm të makinës në qytet.Kjo nuk është hera e parë që atleti me të ardhurat më të larta në botë në vitin 2021 dënohet për shkelje të trafikut rrugor. Gjithsesi, kampioni i arteve marciale të përziera është liruar me kusht.

McGregor është akuzuar për ngarje të rrezikshme të makinës dhe do të paraqitet para gjykatës së qarkut Blanchardstown muajin e ardhshëm. Ai më parë ishte paraqitur para së njëjtës gjykatë në vitin 2017, kur ishte dënuar me 400 euro për tejkalim shpejtësie.

Në rast të dënimit, luftëtari irlandez do të dënohet maksimalisht me gjobë deri në 5000 € ose gjashtë muaj burgim, ose të dyja. Një zëdhënës i irlandezit shpjegoi ngjarjen në prononcimin për Irish Independent, ku ndër të tjera tha:“Z. McGregor po udhëtonte me makinë për në palestër kur u ndalua nga Gardai për shkelje të dyshuara të trafikut rrugor. Ai kaloi me sukses testet e drogës dhe alkoolit”. Makina luksoze e McGregor është sekuestruar përkohësisht.