Florian Marku arriti të merrte një tjetër fitore, të parën në 2022.

Boksieri shqiptar ia doli që të hidhte me “KNOCK-OUT” Jenkins në raundin e katërt.

Menjëherë pas përfundimit të kësaj përballje, Marku është shprehur: “Më jepni Amir Khan, do ta mund”.

Por kush është Amir Khan?

Aktualisht në moshën 35-vjeçare, ka qenë kampioni i botës në peshën e lehtë dhe e mbajti titullin WBA në 2009-2012 dhe IBF në vitin 2011.

Një emër me shumë peshë në arenën e boksit dhe nëse kjo sfidë do të realizohej, për Markun do të ishte prova e parë e zjarrit.

Lajme të mira vijnë nga promotori Ben Shalom, që tregon se po arrihet marrëveshja.

Shalom ka organizuar ndeshjen më të fortë për Amir Khan, atë kundër Brook.

Tanimë Shalom ka thënë se Khan po përgatitet që të vijë në “Air Albania” për një ndeshje me Florian Markun.

“Do të bëhet një event i madh në Shqipëri, e kemi premtuar këtë.

Për Amir Khan ka kuptim një ndeshje e tillë tani, sinqerisht e mendoj këtë gjë, ka kuptim për të dy boksierët”.