Policia greke ka arrestuar në Pire një nga autorët e dyshuar të ekzekutimit të 40-vjeçarit Besnik Hida, krim i ndodhur në Lushnjë më 1 tetor të vitit 2019.
Në pranga ka rënë 51-vjeçari Ardian Ahmetaj, i cili akuzohet se kreu vrasjen në bashkëpunim me Laert Haxhiun dhe Orgest Bilbilin.
Ardian Ahmetaj ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Fierit, në vitin 2023, ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.
51-vjeçari dyshohet se në vitin 2019, në lagjen “Skënder Libohova” të Lushnjës, në bashkëpunim me Laert Haxhiun dhe Orgest Bilbilin kanë vrarë me armë zjarri Besnik Hidën. Ky i fundit u qëllua në ambientet e një lokali, teksa autorët mbanin maska dhe armë zjarri.
Autorët e dyshuar të ekzekutimit të Besnik Hidës u zbuluan katër vite pas krimit ku policia njoftoi më 20 korrik 2023 se ishin identifikuar.
Besmir Hida ishte daja i Zamir Latifit, të riut që u vra në 11 tetor të vitit 2017 në Lushnjë, teksa shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares.