Ish-administratori i Ujësjellësit të Shkodrës, Mark Molla ka dëshmuar këtë të enjte në GJKKO, në procesin që zhvillohet ndaj ish-kryebashkiakut të Shkodrës, Bardh Spahia.

Molla ka deklaruar se në vitin 2022 është njoftuar për largimin e tij nga detyra e administratorit të Ujësjellësit me anë të postës. Ai iu drejtua gjykatës dhe kjo e fundit nuk e njohu vendimin për shkarkimin nga detyra. Megjithatë, sipas kallëzuesit, ish-kryebashkiaku lëshoi një urdhër të dytë për largimin e tij nga detyra. Herën e tretë, dëshmoi Molla, njoftimin e mori nga një punonjës i Bashkisë së Shkodrës.

“Në vitin 2022 kam qenë administrator i Ujësjellësit Shkodër. Në maj të atij viti jam njohur me një urdhër largimi, që ka ardhur me postë. Unë i jam drejtuar gjykatës. Gjykata nuk e ka njohur si vendim. Spahia ka bërë një tjetër urdhër largimi. Edhe atë e padita në gjykatë, e cila po ashtu nuk e njohu vendimin e kryebashkiakut. Ndërkohë, pas vendimit të tretë të largimit, erdhi një person nga Bashkia dhe më kërkoi të liroja zyrën. I thashë që do ta liroja vetëm nëse më thoshte gjykata. Atë ditë shkova në Postribë për çështje pune. Ndërkohë, godina e Ujësjellësit u rrethua nga policia dhe policia bashkiake”, mësohet të ketë dëshmuar Molla në gjykatë.

Në prill të këtij viti (2025), ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, u mor i pandehur nga GJKKO, pas denoncimit të bërë pikërisht nga Mark Molla. Ai akuzohet se ka penguar zbatimin e një vendimi gjyqësor në kohën kur ishte në detyrë. Vetë Spahia i ka mohuar akuzat dhe ka pretenduar se kallëzimi ndaj tij është bërë me porosi politike.