Reagimi i parë lidhur me vdekjen e akademikut, Rexhep Qosja, ka ardhur nga kryeministri, Edi Rama. Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama ka shprehur ngushëllime familjes Qosja.
Reagimi tjetër ka ardhur nga presidenti i Republikës Bajram Begaj, i cili shkroi: “Një akademik i rrallë iku nga Panteoni… Rexhep Qosja ishte një nga mendjet më të bukura të kulturës dhe mendimit shqiptar. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, të afërmve dhe miqve. Pusho në paqe, Profesor!”
Ndërkohë Kuvendi mbajti 1 minutë heshtje. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla tha se parlamenti duhet të vlerësojë kontributin e pazëvendësueshëm të akademikut për Shqiptarinë.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi gjithashtu shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja.
“Sot ndoshta mendja më prodhimtare ndër shqiptarë, ndaloi së menduari. I dhimbshëm lajmi për ndarjen fizike nga jeta të Rexhep Qoses. Një intelektual i përmasave mbarëkombëtare e përtejkombëtare, atdhetar i pashoq dhe shkrimtar i pakohë.
I paharruar qofsh përgjithmonë profesor Rexhep Qosja!’”, shkruan në mesazhin e tij kryetari Peleshi.
Një tjetër reagim ka ardhur nga Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila tha se në panteonin e letrave të Shqiptarisë, do të jetë gjithmonë i skalitur emri i tij, si një prej çmuesve dhe kontribuesve të gjuhës sonë dhe mendimit shqiptar.
Akademiku Rexhep Qosja u nda nga jeta këtë të enjte, 23 prill, në moshën 89-vjeçare. Ceremonia e varrimit u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes, të cilët kanë bërë me dije se nuk do të marrin pjesë në organizime institucionale. Kjo ka qenë dëshira dhe kërkesa e të ndjerit, para se të ndahej nga jeta.





