Kancelarja gjermane Angela Merkel shfaqi optimizëm rreth krizës në eurozonë teksa foli në një television në Oslo. “Nuk mund të heq plotësisht gjendjen e rrezikut, jam optimiste, por e matur” tha ajo duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare ka kuptuar se ne do ta mbrojmë euron. 

Siç shpjegoi kancelarja, ende nuk beson se është arritur shërimi i konkurencës, duke vënë në dukje se reformat duhet të ndiqen në shumë vende. “Mendoj se nuk kemi arritur bashkëpunimin që duhet të kemi në Eurogroup, por duhet të them se jemi në rrugën e duhur”, vazhdoi ajo. “Ende jemi në gjysmën e rrugës së arritjes së qëllimit”, tha kancelarja. 

Nga ana e tij presidenti francez, Francois Hollande theksoi në Oslo se kriza në zonën euro është kapërcyer, duke folur për të gjitha përpjekjet që janë bërë, që të zgjidhen problemet e shkaktuara nga kjo krizë. “Kriza në eurozonë është prapa nesh. Greqisë i dhamë më në fund burimet financiare që ajo priste. Në Spanjë, kemi bërë që sektori bankar të qëndrojë përsëri në këmbët e tij. Në Itali, pavarësisht pasigurisë politike, jam i bindur se italianët do të kenë sukses në programin e tyre”, iu tha gazetarëve presidenti francez. 

“Ajo që ne duhet të bëjmë tani nuk është thjesht të dalim nga kriza e eurozonës, kjo tashmë është bërë. Tani ne duhet t’i shmangemi krizës, dmth të sjellim zhvillimin, të krijojmë vende pune, të sjellim besimin tek të rinjtë”, vazhdoi Francois Hollande. 

Lidhur me situatën në Itali, presidenti francez tha se ato që kanë ndodhur do të bëjnë të mundur që vendi të ketë një qeveri të qëndrueshme pas zgjedhjeve të ardhshme në shkurt 2013.