Në samitin e sotëm të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan, Armeni, do të ketë një mungesë të rëndësishme. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka vendosur të mos marrë pjesë.
Kjo është hera e parë që Gjermania mungon në samitet e këtij forumi, i krijuar për të diskutuar çështje strategjike evropiane, veçanërisht sigurinë e saj, pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia.
Në Jerevan kishte edhe një arsye më shumë për të qenë i pranishëm: kryeministri kanadez Mark Carney është ftuar si mysafir.
Samiti në Armeni shihet si një mundësi për të përshpejtuar bashkëpunimin mes një koalicioni shtetesh me ndikim të mesëm përballë kërcënimeve të Trump-it.
Në total janë ftuar 48 krerë shtetesh dhe qeverish, përfshirë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Shqipërinë, Kosovën dhe shtete të tjera të rajonit. Kryeministri Edi Rama ka mbërritur që mbrëmë në Jerevan, ndërsa ka dhënë edhe një prononcim të shkurtër për mediat atje.





