Fluks i lartë pasagjerësh dhe mjetesh në portin e Durrësit. Me mijëra janë emigrantët që kthehen në atdhe këto ditë, ndërkohë që të shumtë janë ata që pasi kanë përfunduar pushimet rikthehen në vendet e tyre të punës.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, në portin e Durrësit janë përpunuar më shumë se 13 mijë pasagjerë dhe mbi 3000 automjete.

Burime nga porti i Durrësit bëjnë të ditur për DurrësLajm se me tragetet e Barit dhe Ankonës kanë mbërritur në portin më të madh në vend 7462 pasagjerë dhe 1984 automjete. Ndërkohë janë larguar nga porti i Durrësit 5976 pasagjerë dhe 1300 automjete.

Fluksi i lartë i lëvizjes përkon edhe me kulmin e sezonit turistik. Të gjithë tragetet kanë bërë dy udhëtime në ditë, ndërkohë që Policia Kufitare dhe Dogana janë duke punuar pa ndërprerje për të përpunuar në kohë rekord pasagjerët dhe mjetet dhe për të evituar vonesat në këto ditë të nxehta gushti.

Paulin Ndreu, nga Kapitaneria e Portit të Durrësit konfirmon për DurrësLajm se po punohet 24 orë pa ndërprerje për të përballuar fluksin e lartë të lëvizjes.

Pritet që ky fluks të jetë i lartë deri javën e tretë të muajit gusht, ndërkohë që më pas parashikohet një ulje e ndjeshme e udhëtarëve në të dy brigjet e Adriatikut.

K.H.