Milani ka marrë përsëri kryesimin e Serisë A me një provë të mirëfilltë force në ndeshjen ndaj Lacios, të cilën e ka mundur me shifrat 2-0, në një sfidë të dominuar që nga starti i saj.

Kuqezinjtë krijuan më shumë lojë dhe raste, por për të shënuar golin e avantazhit iu desh të priste minutën e 45-të kur Leao gjeti rrjetën pas një aksioni model. Kuqezinjtë mund të shkonin në pushim me një avantazh më të thellë, pas një penalltie të shkaktuar nga Imobile ndaj Kesit. Por ky i fundit gaboi nga pika e bardhë, duke goditur traversën e portës së mbrojtur nga Pepe Reina.

Gjithsesi dyfishimi i rezultatit do të vinte në pjesën e dytë, kur Ibrahimoviç iu deshën pak minuta në fushën e lojës për të vendosur vulën e tij në rikthimin në fushë pas një periudhe të gjatë. Suedezi përfitoi nga pasimi i Rebiç për të çuar rezultatin në 2-0, i cili nuk ndryshoi më edhe pse kishte përsëri mundësi të tjera për të thelluar diferencën nga kuqezinjtë.

Kjo fitore çon Milanin në vendin e parë me pikë të plota pas tre javësh, ashtu si Napoli, një pozicion shumë komod para një tjetër supersfide në javën e ardhshme, atë ndaj Juventusit.