Kreu i PD, Lulzim Basha i është përgjigjur interesit të mediat lidhur me Forumin Ekonomik të zhvilluar sot në Shkup, e kryesisht mesazheve për minishengenin Ballkanik.

Për Bashën takimi i sotëm nuk prodhoi asgjë përvec se një protagonizëm të tepruar, një film që siç tha kryedemokrati, shqiptarët e kanë parë e stërparë.

Sipas Bashës, që lëvizja e lirë në rajon të realizohet, hapi i parë duhet të jetë njohja e ndërsjelltë e Kosovës dhe Serbisë.

”Mendoj që takimet po bëhen kaq shpesh, nuk e di se çfarë po prodhojnë, përveç fotove. Që lëvizja e lirë në rajon të funksionojë duhet t’i japim fund hipokrizisë, duhet urgjentishti të punohet për eliminimin e kërcënimit të fundit për paqen e stabilitetin në rajon, njohjen e ndërsjelltë të Kosovës dhe Serbisë. Lëvizja e lirë është një synim dhe kërkesë e të gjitha proceseve integruese, ku janë të përfshira vendet e Ballkanit Perëndimor.

Që kanë dëshirë dhe protagonizëm për të dalë në këto ditë të nxehta vere për të bërë fotografi nuk është një çudi e madhe për mua, por të na kursejnë përsëritjen e një filmi të parë e stërparë që nuk po prodhon asgjë të mirë për qytetarët por po kthehet në një alibi për ngecjen në vend të objektivave që duhet të ketë secili prej tyre në rajon.

Partia Demokratike e mbështet dialogun mes dy republikave, por nuk kemi lënë asnjë dilemë për përfundimin e këtij dialogu, që duhet të jetë njohja e ndërsjelltë. Ne jemi të lumtur që SHBA dhe BE janë të qartë përsa i përket këtij objektivi.

Dua të theksoj se asnjë takim nuk mund të shërbejë si alibi për t’i ikur detyrimeve kushtetuese që ka çdo kryeministër shqiptar për t’u kujdesur për fatin e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë. Fati i tyre i keq është që çregjistrohen në mënyrë të paligjshme për të bërë një spastrim etnik të Luginës së Preshevës. Nuk e di sa kohë i ka kushtuar Edi Rama këtë problemi kur flet me mikun e tij Vuçiç, dhe nëse i ka kushtuar ndopak kohë, e ka mbajtur sekretin mjaft mirë”– tha Basha.