Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, ka zhvilluar një inspektim në Shpella e Spilesë sot në 5 maj, një nga atraksionet më të veçanta natyrore dhe historike të rivierës shqiptare.
Gjatë vizitës, ai theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të kësaj pasurie me vlera të shumta kulturore dhe turistike. Shpella njihet për lidhjen e saj me mitologjinë e lashtë, veçanërisht me tregimet për Ciklopin e përmendur nga Homeri. Projekti i ndërhyrjes synon të ruajë autenticitetin e saj, duke e bërë më të aksesueshme për vizitorët.
Një nga elementët kryesorë është ndriçimi i brendshëm, i cili pritet të krijojë një përvojë unike edhe gjatë natës. Gjithashtu, do të rikualifikohet hapësira përreth shpellës për ta kthyer atë në një zonë publike funksionale dhe të integruar me vijën bregdetare.
Kjo ndërhyrje synon të rrisë atraktivitetin turistik të Himarës gjatë gjithë vitit. Projekti realizohet me mbështetjen e Bankës Botërore dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Në bashkëpunim janë përfshirë edhe institucione të trashëgimisë kulturore dhe organizata të specializuara. Autoritetet synojnë që përmes këtij projekti të krijojnë një itinerar të plotë kulturor dhe turistik për zonën.





