Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë këtë të hënë, më 25 maj.
Dendias pritet të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama, si edhe me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Lajmi për vizitën e tij u raportua edhe nga mediat greke një ditë më parë, të cilat shkruanin se Dendias do të udhëtonte drejt Tiranës javën e ardhshme në kuadër të diskutimeve për çështjen e kufirit detar mes dy vendeve.
Sipas një artikulli të publikuar nga media greke “To Vima”, Athina synon të intensifikojë përpjekjet për ringjalljen e negociatave me Shqipërinë për përcaktimin e zonave detare.
Objektivi kryesor i vizitës së Dendias është rifillimi i një iniciative dypalëshe, e dakordësuar fillimisht në tetor të vitit 2020, kur të dy vendet shprehën gatishmërinë për t’ia referuar mosmarrëveshjen për kufirin detar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.





