Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu, ka deklaruar se konflikti në Ukrainë tregoi se SHBA dhe aleatët e tij po provokojnë përfshirjen e vendeve të tjera në një konfrontim ushtarak me Moskën dhe Pekinin.

Këto deklarata, Shoigu i dha në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. Sipas tij, Uashingtoni dhe bashkëpunëtorët e tij po zbatojnë planin e tyre strategjik, i cili konsiston në provokimin e vendeve të tjera në një konfrontim ushtarak.

“Qëllimi i tij i vërtetë është të shkaktojë një disfatë strategjike ndaj Rusisë, të krijojë një kërcënim për Kinën dhe të ruajë pozicionin e tij monopol në botë”, tha më tej ai.