Në seancën e sotme plenare, më 16 prill, ministri për Energjinë dhe Infrastrukturën, Enea Karakaçi, zhvilloi një interpelancë të kërkuar nga deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri.
Gjatë fjalës së tij, ministri Karakaçi theksoi se porti i ri nuk është një projekt i ri në ide, por një investim strategjik që pasqyron ambicien e qeverisë shqiptare për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Porti i ri detar i Integruar në Porto Romano nuk është një projekt i ri, por një projekt i cili pasqyron ambicien e qeverisë shqiptare për ta sjellë vendin në një nivel të zhvillimit ekonomik e strategjik.
Për dekada me radhë, porti i Durrësit ka mbajtur mbi supe përgjegjësi. Nuk ka sot asnjë port që të jetë në qendër të qytetit që të kryejë funksione industriale dhe sa i përket edhe të gjitha politikave të ndotjes mjedisore dhe të zgjerimit e zhvillimit të portit. Porti i Durrësit e ka të pamundur të zgjerohet. Projekti i Porto Romanos është i mirëmenduar, nga ekspertë ndërkombëtarë, dhe i aftë të përballojë kërkesat e mëdha të ekonomisë të dekadave të ardhshme”, tha Karakaçi.
Karakaçi shtoi se porti do të funksionojë jo vetëm si pikë hyrje-dalje mallrash, por edhe si “qendër rajonale” logjistike me magazina dhe qendra shpërndarjeje, ku sipas tij do të operojnë kompani vendase dhe të huaja.
Ministri deklaroi gjithashtu se Shqipëria synon të mos jetë më një vend tranzit, por një “nyje kyçe” në rajon, duke përmendur edhe kërkesën drejtuar NATO-s për krijimin e një baze detare të integruar në port, çka sipas tij do ta kthente Porto Romanon në një aset strategjik.
Ministri Karakaçi, i ktheu përgjigje deputetit Erald Kapri, se pse është amenduar projekti fillestar për portin e ri në Porto Romano.
“Pse është amenduar më vonë, për të patur nevojën e projektimit të hapësirës së dedikuar për forcën detare ushtarake të NATO-s. Ju me të drejtë shqetësoheni për NATO-n, por ka qenë qëllimi, vizioni dhe objektivi i qeverisë shqiptare që të kishte një bazë detare të NATO-s dhe prandaj ka bërë një amendim të projektit.”, tha Karakaçi.





