Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në një konferencë për mediat, ka treguar të gjitha parregullsitë e ndodhura në institucionet shtetërore në disa bashki të vendit. Ai tha se në Kadastrën e Durrësit janë konstatuar nga Njësia Antikorrupsion lëshime leje legalizimesh pa respektuar ligjin.

“Ka përfunduar hetimi për tre raste. Dy rastet e para kanë të bëjnë me dhënien e lejeve të legalizimit duke mos respektuar kërkesat që kërkon ligji përkatës. Rasti i tretë është më flagrant, është printuar leja e legalizimit, i është dorëzuar qytetarit, e në fund janë dhënë dokumentet e tjera, që duhet të jepen menjëherë me legalizimin. Kjo është e kuptueshme se cilat janë interesat që të çojnë drejt shkeljes së ligjit”,- tha ministri Manja, në konferencën për shtyp.

Po ashtu ministri përmendi rastin e një doganieri në Korçë, i cili ka falsifikuar diplomën e shkollës.

Sipas Manjës, ky doganier, por edhe noteri që ka kryer këtë akt, janë kallëzuar. Sakaq, Manja nënvizoi se ka parregullsi edhe për dhënien e lejeve të ndërtimit, sidomos në zonat bregdetare. Gjithashtu theksoi se problematike është situata e ripërtëritjes së lejeve të ndërtimit nga Gjykatat. Sipas tij, nuk duhet të ripërtërirë këto leje, pasi dhe dinamikat kanë ndryshuar nga dhënia e lejes në afatin e parë.