Ministrja e Shëndetësisëdhe e Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ishte sot në Durrës në një inspektim në qendrën shëndetësore nr. 2, e cila po rehabilitohet në kuadër të fazës së dytë të Programit të rehabilitimit të qendrave shëndetësore.

“Këtë vit investojmë në rehabilitimin e 60 qendrave të tjera të kujdesit parësor, ku përveç përmirësimit të kushteve të infrastrukturës, do të zgjerojmë programet e kujdesit shëndetësor dhe social, për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të komunitetit.

Kjo qendër si 340 qendrat shëndetësore dhe ambulancat e rehabilituara deri tani do të ketë kushte më të mira pune për stafin mjekësor dhe do të ofrojë shërbim cilësor për më shumë se 30 mijë banorë të lagjeve kryesore të qytetit bregdetar”, shprehet Manastirliu.

Ministrja shoqërohej nga kryetarja e bashkisë Emiriana Sako, deputetja Klodiana Spahiu, deputeti Alban Xhelili dhe drejtoresha e NJVKSH-së Aurora Hyka.