Qeveria ka vendosur të indeksojë pensionet në masën 4.1 përqind. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhe, i cili tha pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se indeksimi i pensioneve do të aplikohet për muajin tetor 2024 e në vijim.
“Ndaj me ju sot vendimin e Qeverisë së Shqipërisë për indeksimin vjetor të pensionit në masën 4.1% që nis me pagesat e muajit tetor 2024. Nga ky vendim përfitojnë 791,257 pensionistë, sipas numrit aktual të ndarë në këto dy kategori: në 721,705 janë pensione nga skema e detyrueshme dhe 68.613 janë pensione nga programe dhe trajtime të veçanta të qeverisë si ish-ushtarakët, punëtorët e minierave apo përfituesit e pensioneve të posaçme shtetërore dhe nga skema suplementare”, deklaroi ministri Blendi Gonxhe.
Efektet financiare të indeksimit të pensioneve përllogariten në vlerën 17 milionë Euro për 3 muajt e fundit të vitit 2024.
Nga indeksimi i pensioneve preken rreth 791,257 pensionistë. Me indeksimin 4.1%, pensionet në qytet rriten me 752 Lekë dhe 543 Lekë në fshat.
Po kështu, ministri Gonxhe foli edhe për shpërblimet për pensionistët në fund të vitit, ndërsa nga muaji janar do të ketë një skemë të re pensionesh për të cilën ende është duke u punuar. Skema e re e pensioneve synon të rrisë ato minimale.