Izraeli ka marrë vendimin për të pushtuar përfundimisht të gjithë Rripin e Gazës. Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) filluan të dielën të dërgojnë urdhra mobilizimi për dhjetëra mijëra rezervistë, si pjesë e ofensivës në Gaza.
Një zyrtar ushtarak izraelit deklaroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje, do të nisë një tjetër sulm në enklavë. Ai shtoi se ekziston një dritare e hapur për një marrëveshje lidhur me pengjet në Gaza gjatë vizitës së Donald Trump në rajon javën e ardhshme.
Këshilli i Sigurisë i kabinetit izraelit ka miratuar një plan për zgjerimin e ofensivës ushtarake kundër Hamasit, i cili përfshin “pushtimin” e Gazës dhe mbajtjen nën kontroll të territorit të saj, sipas një zyrtari izraelit. Operacioni përfshin zhvendosjen e 2.1 milionë palestinezëve në Gaza drejt jugut, gjë që, sipas BBC, mund të përkeqësojë krizën humanitare.
Hamasi ka deklaruar se propozimi i Izraelit është “shantazh politik”.
IDF publikoi video të një sulmi ndaj lëshuesve të raketave të Hamasit që godisnin territorin izraelit nga zona e Khan Yunis: Operacioni i ri i IDF në Rripin e Gazës do të përfshijë kontroll të plotë ushtarak të zonës, tha Kryeministri Benjamin Netanyahu gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë mbrëmjen e së dielës.
Kryeministri izraelit e quajti “një plan të mirë”, pasi sipas tij do të përmbushë qëllimet për të mposhtur Hamasin dhe për të kthyer pengjet e mbetura.
Netanyahu theksoi se Forcat Mbrojtëse Izraelite do të qëndrojnë në Gaza.
Plani gjithashtu parashikon pushtimin e territorit, zhvendosjen e banorëve të Gazës drejt jugut, dhe pamundësimin e Hamasit për të shpërndarë ndihmë humanitare.
Këshilli i ministrave miratoi gjithashtu, në parim, një plan për dorëzimin dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare përmes kompanive private, duke i dhënë fund një bllokade dy mujore që, sipas OKB-së, ka shkaktuar mungesa serioze ushqimi.
OKB dhe agjenci të tjera humanitare kanë deklaruar se ky propozim përbën shkelje të parimeve themelore humanitare dhe nuk do të bashkëpunojnë.
Sipas OKB-së, popullsia po përballet me rrezikun e urisë, pasi depot janë bosh, furrat janë mbyllur dhe kuzhinat e organizatave joqeveritare do të mbeten pa furnizime brenda pak ditësh.
Bllokada gjithashtu ka ndërprerë furnizimin me ilaçe bazë, vaksina dhe pajisje mjekësore që i duhen sistemit shëndetësor të tejmbushur të Gazës.
OKB thekson se Izraeli është i detyruar sipas së drejtës ndërkombëtare të sigurojë furnizimin e popullsisë së Gazës, e cila është pothuajse e tëra e zhvendosur. Izraeli këmbëngul se po vepron në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe se nuk ka mungesë ndihmash.
Faza e re e luftimeve pritet të fillojë vetëm pas vizitës së Presidentit të SHBA-së në rajon javën e ardhshme, për shkak të mobilizimit të rezervistëve dhe çështjeve të tjera.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të IDF, gjeneral-lejtnant Eyal Zamir, nuk do të lejojë ushtarët izraelitë të marrin pjesë në shpërndarjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës, raportoi kanali N12 të dielën në mbrëmje.
Megjithatë, pavarësisht mobilizimit masiv, numri i rezervistëve pritet të jetë shumë më i vogël krahasuar me mobilizimin e qindra mijëra ushtarëve në tetor të vitit 2023.