Ajo është një nga moderatoret bukuroshe, të cilën e shohim të jetë pjesë e ekraneve tona çdo të shtunë në TVSH me emisionin “Siluetë”.

Gerta Gixhari është tashmë një pjesë e pandarë e televizionit shqiptar duke sjellë stilin e saj unik të të prezantuarit të VIP-ave në emisionin e së shtunës.

Në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare” Gerta ka folur për pasionin që ka ajo për ekranin, të veçantën që sjell në emisionin e saj si dhe marrëdhënien e veçantë që ndërton me të ftuarit VIP.

“Siluetë” është një emër tipik i veçantë për emisionin që ju drejtoni. E kujt ishte ideja dhe pse pikërisht ky emër?

Siluetë është një formësim dhe një mënyrë e të parit të gjërave. Tek publiku forma e siluetës vjen si figurë e errët dhe ne me anë të temave të ndryshme, të cilat përçojnë gjallëri te publiku ngjyrosim këto silueta, duke e bërë këtë koncept të barasvlershëm me jetën. Gjithçka që lidhet me anën e bukur të të jetuarit, stili, mirëqenia, sporti, moda etj…

Ndërsa perceptimi i “Siluetës” tek personazhet e intervistuar është lehtësisht i kuptueshëm pasi qëllimi është të ndriçojmë siluetat e tyre, të zbulojmë mistiken duke zbardhur të panjohurat rreth tyre, duke hyrë më tepër në karakter. Vendi ku ulem unë bashkë me të ftuarit në “Siluetë” janë disa shkallë. I ftuari vjen në mënyrë të merituar pasi presupozohet që ka ngjitur disa shkallë në jetën e tij në karrierë, dhe, nga ana tjetër, në formë të shkujdesur, pasi kjo e bën personazhin të jetë më i çliruar nga komplekset. I gjithë emisioni është ideuar nga unë, pa asnjë referencë.

Kur keni nisur të mendonit për të drejtuar një emision të tillë?

Ka qenë një ide e hershme e imja për të realizuar një format të tillë. Mund të them që kur jam shkëputur nga terreni si gazetare politike dhe kur nisa të punoja për emisionin “Pasdite në Top Channel”, para 7 vitesh kuptova kapacitetin tim për të realizuar vetë një program. Formën dhe mënyrën e trajtimit të temave unë e kam nga vetja, brenda llojit tim. E aplikoja që atëherë në pasdite dhe e ruajtur edhe në “Siluetë”, ku në shumë raste gazetari bëhet protagonist. Por, edhe pse me pak vonesë mendoj se tani kam të gjithë sigurinë, formimin tim profesional që ky emision të ketë interes dhe të jetë i dëshirueshëm për publikun, për të kaluar 1 orë të këndshme me “Siluetën”.

Një moderatoreje simpatike si ju vështirë t’i thuash “jo” në emision. Cili ka qenë personazhi që do veçonit që “ju ka bërë rezistencë” për të ardhur në emision?

Të ftuarit më pasurojnë emisionin dhe çuditërisht askush nuk po më bën rezistencë. Shumë personazhe në studion time shprehen në mënyrë të atillë për gjëra që nuk i kanë thënë ndonjëherë.

P.sh, Bojken Lako ishte i martuar me celebrim dhe askush nuk e dinte dhe e tha për herë të parë në studion time. Bomba që lëshuan vëllezërit korçarë kundër votimit në këngën magjike, Albërie Hadërgjonaj foli pas shumë vitesh për arsyet e divorcit dhe marrëdhëniet me ish- bashkëshortin, Flaka Krelani që ka hyrë ilegalisht në Spanjë, Arbër Çepani nxori një anë që askush nuk ia njihte në lidhje me seksin.
Kjo do të transmetohet sot, të shtunën, në orën 19:00. Dhe shumë personazhe të tjerë, të cilët kanë folur pa dorashka dhe prisni akoma të tjerët që do të vijnë.

Personazhi që do donit të intervistonit?

Për mua të gjithë të ftuarit që vijnë në shkallët e “Siluetë”, janë të gjithë të rëndësishëm.

Ekrani është një ndër pasionet tuaja. Jashtë tij cilat janë pasionet e Gertës?

Mos u habit që kjo mund të jetë përgjigja më e gjatë e gjithë intervistës, sepse kam shumë për të folur për pasionet e mia. Ka nga ato pasione që unë i ushtroj vazhdimisht dhe i kam edhe pjesë të jetës dhe ka nga ato që vendi ynë nuk i ofron dot siç është patinazhi dhe është kthyer në ëndërr.(qesh)
Sporti është kthyer një mënyrë të jetuari pa të cilin unë nuk rri dot. Mbase nuk ta jap përshtypjen pasi ma shprehin të gjithë këtë, por gatimin unë e kthej në art. Gatuaj receta që i krijoj vetë dhe po mendoj që të sjell një libër me recetat e miat personale.

Të pikturoj e kam pasur dhunti që e vogël pasi rrija me orë të tëra dhe vizatoja figura të ndryshme nga librat, gjë që unë e ushtroj edhe me djalin tim tani. Më pëlqen shumë të kërcej dhe i adoptoj lehtësisht lëvizjet e reja, ndërsa ato që më plotësojnë shumë janë udhëtimet ku unë shpenzoj shumë kohë të njoh vendet ku shkoj dhe kulturën e atij vendi.
Mbase është një lidhje që kam me objektet antike pasi unë kam koleksionuar disa prej tyre. Libri më pëlqen, por më tepër sesa pasion mendoj se është domosdoshmëri në formimin kompleks të personit. Për sa i takon pamjes estetike jam “full options”. Kombinoj veshje duke krijuar një stil timin, di të përdor edhe gërshërën e parukierit dhe jam mjeshtre e “makeup-it”. E kam nisur praktikën që e vogël 11 vjeç duke bërë nuse Oltën dhe duke grimuar dhe stiluar gjithë fisin në raste gëzimi.

Përveç “Siluetë” çfarë lloj emisioni dëshironi apo dhe keni në projekt të realizoni? Do t’ju shohim diku tjetër përveçse në RTSH?

Ndihem shumë mirë në RTSH. Një emision e bën mirë kudo që të jesh, mjafton t’i përkushtohesh.Gjatë një emisioni kalohen momente të ndryshme humori apo edhe sikleti. 

Cili ka qenë ai me i sikletshmi që mund të veçoni?

Në momentin që unë hyj në studio me të ftuarit nuk ndjej asnjë lloj sikleti. Mbase përpara se të hyj në studio mundet një siklet i natyrshëm emocional për finalizimin me sukses të gjithë programit.

Keni thënë në një intervistë të mëparshme se politika është pjesë e mozaikut tuaj. A është afër shprehja që ju thatë “just in time”?

Piketat e jetës kanë renditje të cilat duhen programuar sipas rëndësisë dhe kohës. Është radha e “Siluetës”.

Ju moderatore, Olta aktore. Cili është burimi i këtij pasioni për të qenë pjesë e ekranit?

Burimi më i fortë i yni për të dyja ne, kanë qenë prindërit, të cilët na kanë rritur me shumë vetëbesim dhe protagonizëm dhe ja ku jemi sot. Që në vogëli, rruga jonë ishte e kuptueshme, sepse unë kam një talent që përveç familjarëve të mi nuk e di njeri, jam imituese e shkëlqyer. Që e vogël imitoja Parashqevi Simakun dhe Vjollca Vokshin të bukurën e TVSH.

Sa ka ndikuar të pasurit një motër si Olta në karrierën tuaj? A keni pasur propozime për të pasur 1 emision së bashku? E keni menduar ndonjëherë?

Ne e mbështesim njëra-tjetrën për çdo gjë që lidhet me karrierën. Atij propozimi apo projekti që mund t’i themi “po” duhet të ketë suksesin e garantuar. Nuk duam të eksperimentojmë.

Cila është ajo pjesë e realitetit të mediave vizive që nuk e toleroni?

Fasada.

Cila është pika më e lartë për Gertën që do të ndihej e realizuar?

Eshtë në karakterin e qenies njerëzore që gjithnjë është në kërkim të një gjëje të re. Kur realizon një qëllim të gjitha përpjekjet apo pengesat që has gjatë rrugës fshihen nga memoria dhe pasi ke arritur atë që do, kërkon përsëri të përballesh me një sfidë të re, mbase edhe më të vështirë. Dhe mendoj se kjo është në karakterin tim. Ndaj nuk i kam vënë vetes limite.

Cili është rasti me flagrant që keni hasur në media ku vihet re abuzimi apo keqtrajtimi ndaj femrës. A e keni vënë re në RTSH?

Nuk është një çështje kategorike që të shpallim “viktimat pas lufte”. Femra sot është aq e emancipuar dhe ka të gjithë kapacitetin e duhur për të vendosur vetë në zgjedhjet që ndërmerr. Ashtu siç ajo di të përdorë elementet e joshjes, po ashtu ajo duhet të di të shmangë rastet që nuk janë në funksion të sfidave afatgjata.

Në realitetin e mediave vizive ku jetojmë, më mirë të jesh femër apo mashkull? Kush ka më tepër sukses sipas jush?

Nuk mendoj se suksesi ndahet sipas gjinisë. Ka modele të suksesshme nga të dyja palët. /G.Sh.