Finalizohet operacioni policor i koduar “Storm 19”, pas një hetimi 2-javor me metoda speciale hetimi.

Kishte marrë me qira një ambient, të cilin e kishte përshtatur për ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit, vihet në pranga një shtetase braziliane.

Procedohen penalisht edhe 3 shtetas.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Durrës, pas një hetimi 2-javor me metoda proaktive, finalizoi fazën e 19-të të operacionit policor të koduar “Storm”.

Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasja Sh. S., 24 vjeçe, lindur dhe banuese në Brazil.

Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni” edhe 3 shtetas shqiptarë.

Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 1 pasaportë e shtetases së huaj, shuma parash të dyshuara të përfituara nga prostitucioni dhe 2 aparate celularë.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasja braziliane, në lagjen nr. 4, Durrës, kishte marrë një ambient me qira, të cilin e kishte përshtatur me qëllim ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit dhe përfitimin e vlerave monetare nga kjo veprimtari.

Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, shtetasja Sh. S. ka refuzuar të hapte derën e ambientit ku ndodhej, e cila u hap më pas me ndihmën e shërbimit zjarrfikës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.