Rusia pranon të lirojë 200 ushtarë ukrainas të burgosur për të nxjerrë nga burgu në Kiev aleatin e Putinit, politikanin Viktor Medvedçuk.

Lirimi i tij ishte pjesë e marrëveshjes më të madhe dhe më të rëndësishme të kryer mes ukrainasve dhe rusëve, që prej nisjes në shkurt të atij që Moska e konsideron operacion special ushtarak në Ukrainë. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se me ndërmjetësimin e Turqisë dhe Arabisë Saudite, orët e fundit rusët liruan në total 215 ushtarë ukrainas të zënë robër gjatë luftimeve.

Shumica janë luftëtarë të njësisë Azov, që u kapën nga rusët në tunelet e uzinës Azovstal në muaj Maj, Mariupoli ra në duart e tyre. I liruar është edhe komandanti Svjatosllav Palamar. Ata zbritën fillimisht në Stamboll.

Por pavarësisht këtij hapi pozitiv, Zelenski tha më herët se referendumet dhe mobilizimi i pjesshëm i shpallur të Mërkurën nga Putin e bëjnë të pamundur arritjen e paqes. Ai parashtroi 5 kushte të panegociueshme për paqen, ndër të cilat krijimi i një gjykate të posaçme për krimet ruse të luftës dhe garancia e jetës për çdo qytetar ukrainas.

Sakaq, numri i të arrestuarve në protestat kundër mobilizimit në Rusi ka arritur në 1300. Reuters shkruan se nga kërkesa e lartë e rusëve për t’u larguar drejt vendeve si Stambolli, Jerevani e Dubai për t’i shpëtuar mobilizimit, nuk ka më bileta avionësh drejt këtyre destinacioneve dhe çmimi kapërceu mbi 5 mijë dollarë.