Rusia ka paralajmëruar se një sulm ndaj integritetit territorial të saj mund të çojë, në skenarin më ekstrem, edhe në përdorimin e armëve bërthamore.
Deklarata u bë nga zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut.
Sipas tij, kushtet në të cilat Rusia mund të përdorë armë bërthamore janë të përcaktuara qartë në doktrinën ushtarake të vendit dhe në dokumentet që rregullojnë politikën shtetërore për parandalimin bërthamor.
“Çdo cenim i Rusisë dhe i integritetit të saj territorial nga agresorët, edhe nëse ata nuk zotërojnë armë bërthamore, mund të çojë, në rrethanat më të këqija të mundshme, në një përgjigje nga ana jonë me përdorimin e këtyre mjeteve”, deklaroi Ryabkov.
Në të njëjtën kohë, zyrtari rus theksoi se Moska synon të stabilizojë dhe përmirësojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale amerikane.
“Detyra jonë është të shfrytëzojmë periudhën deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale për të çuar përpara marrëdhëniet me SHBA-në, për t’i stabilizuar ato dhe për t’i rikthyer në normalitet”, tha ai.
Ryabkov shtoi se Rusia dëshiron që përparimi në marrëdhëniet dypalëshe të arrijë një pikë ku të jetë shumë e vështirë të zhbëhet në të ardhmen.
Më herët, këshilltari për politikën e jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, Yuri Ushakov, njoftoi se një delegacion amerikan do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut për herë të parë pas disa vitesh.





