Moti i keq ka shkaktuar tragjedi në ishullin jugor të Iskias në Itali. Zv/kryeminsitri Mateo Salvini foli për 8 viktima, një shifer zyrtare.

Ndërsa 12 të tjerë rezultojnë të zhdukur në qytezën bregdetare të Kazamiçolas, atje ku reshjet e dendura shkaktuan rrëshqitje masive toke.

Rrëshqitja e një pjese të kodrës mbi qytezë mbuloi disa shtëpi duke zënë brenda ndër të tjerë edhe një familje, burrë e grua, fëmijën e tyre të porsalindur dhe një vajzë 25-vjeçare.

Llumi dhe balta po ashtu morën përpara dhjetëra automjete. Autoritetet shpallën gjendjen e emergjencës pasi rrugët drejt qytezës janë bllokuar si pasojë e rrëshqitjeve, duke bllokuar të paktën 30 familje që veç të tjerash mbeten pa ujë dhe energji elektrike.

Ekipet lokale të emergjencës janë në luftë me kohën për të gjetur të mbijetuar nën llumin që ka mbuluar banesat.