Moti i keq dhe me reshje shiu që ka pushtuar të gjithë vendin, nuk ka sjellë probleme në lundrimin e trageteve apo anijeve në portin e Durrësit.

Burime zyrtare të APD-së pohuan për “DurrësLajm” se pavarësisht përkeqësimit të kushteve atmosferike, në port puna vijon normalisht. Madje dy prej trageteve të linjës Bari-Durrës që duhet të mbërrinin në portin e Durrësit sipas orës së parashikuar në 08:00 të mëngjesit, kanë mbërritur më herët, konkretisht “Adria Ferries” në orën 07:50 dhe “Nobel Maritime Inc” në orën 07:15.

Ndërkohë, në anijen “Frojdi II” që është akostuar prej orës 11:00 të ditës së djeshme, vazhdon puna për shkarkimin e mallit. Anija në fjalë e ankoruar në kalatën 4, ka një ngarkesë prej 1429 tonë hekur.