Reali i Madridit është finalisti i parë i Superkupës së Spanjës pasi ka mundur Barcelonën 3-2 në kohën shtesë.

Dhe trajneri Ançeloti ka mundësinë që të dielën të fitojë dhe Superkupën e Spanjës, ç’ka do ta bënte atë nga të paktët trajnerë që fiton Superkupën në katër vende të ndryshme.

E ka fituar me Milanin në Itali, Çelsin në Angli dhe Bajernin në Gjermani. Dhe tani është vetëm një hap larg me Realin e Madridit në Spanjë.

Tekniku italian ka folur para mediave në konferencën për shtyp ku ka diskutuar për fitoren ndaj Barçës dhe kualifikimin për në finale.

Ai ka debatuar dhe me trajnerin e Barcelonës, Ksavi Hernandez, i cili pati deklaruar se Barça e dominoi Realin.

“Ishim të përgatitur për një ndeshje të tillë. Siç e thashë edhe para ndeshjes, se do të ishte një përballje e ekuilibruar dhe ashtu rezultoi.

Kemi luajtur shumë mirë në pjesën e parë, duke qenë shumë efektivë në kundërsulm. Besoj se në tërësi, të dyja ekipet kemi përçuar një imazh mjaft të mirë të futbollit spanjoll”.

“Fjalët e Ksavit? Ai ka mendimin e tij, por nuk jam dakord që Barcelona e ka dominuar ndeshjen. Në pjesën e parë kemi marrë një gol të pafat, ndërsa pjesa e dytë ishte më e baraspeshuar.

Por, kemi pasur meritën që kemi qenë rezultativë në kundërsulm, duke shënuar tre gola të mrekullueshëm”.

“Besoj se ka qenë një nga armët tona më të mira në këtë takim. Pastaj me cilësitë që kanë mesfushorët tanë, e kemi luksin e një loje të tillë. Në këtë takim gjithçka na ka shkuar mirë”, ka thënë Ançeloti.

Trajneri Ançeloti ka folur edhe për finalen e së dielës.

“Të them të drejtën nuk kam ndonjë preferencë për finalistin tjetër. Qoftë Atletiko e Madridit, qoftë Bilbao janë dy skuadra shumë të mira. E rëndësishme është të argëtohemi me gjysmëfinalen tjetër dhe më pas të mendojmë për finalen”, ka thënë Ançeloti.