SHBA– Vetëm një ditë pasi parashikimet për fundin e botës u hodhën poshtë, NASA sjell një tjetër lajm të mirw për Tokën. Një asteroid, i cili mendohej se do të përplasej me planetin tonë, nuk përbën më rrezik. NASA u shpreh se pasiguritë e mëparshme për orbitën e asteroidit, i njohur si 2011 AG5, tashmë tregojnë se nuk ekziston mundësia e  goditjes së Tokës prej tij në shkurt të vitit 2040. 

Për t’u siguruar se çfarë mund të ndodhë me asteroidin në të ardhmen, NASA bëri thirrje që të bëheshin më shumë vëzhgime. Astronomë nga Universiteti i Hawait, në Manoa, ndërmorën një përgjegjësi të tillë dhe u përpoqën ta vështronin asteroidin disa ditë në tetor.

Sipas studiuesve të NASA-s, rreziku i përplasjes në vitin 2040 u eliminua. Në bazë të studimeve të reja, pozicioni i Tokës në shkurt të vitit 2040 nuk bën pjesë në rrugët e ardhshme të asteroidit.