Nga BUJAR QESJA
Sapo isha kthyer nga një veprimtari, kushtuar 100 vjetorit të krijimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit. Ishte mbrëmja e 18 shkurtit 2021. Në inboxin tim, diku nga ora 22.30 më vjen një shënim nga Armand Shehu. Më njofton që para dy orësh nga kjo kohë, ndal përgjithnjë frymëmarrjen Agim Shehu.

Pasi i shpreha keqardhjen time dhe pasi mora veten disi nga ky lajm i dhimbshëm, vendosa të hedh disa rradhë në letër, për këtë personalitet të arsimit në Durrës.
Kam patur fatin ta njoh shpejt këtë burrë të veçantë. Kemi qenë pranë me shtëpia në lagjen katër, prej shumë e shumë vitesh. Dhe pasi u privatizuan, kaluam së bashku në bllokun e ri të ndërtuar nga fundi i viteve 90-të, përtej shkollës së mesme të fizkulturës “Bernardina Qerraxhia” të Durrësit.

Agim Shehu, ky burrë i qetë, që se dëgjova asnjëherë të flas më zë të lartë, e lidhi jetën bashkëshortore me një grua fisnike, një zonjë e vërtetë me emrin Safo. Çifti Agim dhe Safo Shehu ishin aq të thjeshtë, aq të urtë dhe bujarë, sa që e gjithë lagja i shikonte me kërshëri kur dilnin. Kjo familje qytetarësh të hershëm durrsakë u shtuan me tre fëmijë djemtë Armandi dhe Eduardi si dhe vajza Edvini.Nuk e teproj dhe aq më pak të ngutem, nëse përvetësoj formulimin, që familja e Agim Shehut ishte pasuri e vyer e lagjes 4 të Durrësit.Djali i madh Armandi, ishte një atlet shumë i talentuar në hedhjen e çekiçit, kur drejtonte Rruf Kazazi i famshëm. Është vendosur me shumë autoritet në historikun kombëtar të këtij sporti.

Shumë i shkathët dhe i mprehtë ishte edhe djali i dytë Eduardi. Por një krelartësi për familjen Shehu mbetet edhe vajza Edvini. E kam mbajtur të gjithë nga pak peshën e fatkeqësisë së Vinit, komshijes tonë aq të dashur dhe simpatike, kur ia largua  nga jeta në moshë shumë të re, i shoqi, inxhinjeri Aleksandër Kurti, një tjetër fis i njohur në Durrës.Agim Shehu mbaroi për kimi dhe arriti të bëhet nga mësuesit më të dëgjuar.

Një Durrës i tërë e mbante në gojë mësuesin e ndritur, për aftësitë profesionale, por mbi të gjithë për mënyrën e komunikimit. Në vitet 70-të arriti të drejtoj edhe seksionin e arsimit në Rrethin e Durrësit, duke lënë mbresa të pashlyera të një kolegu dhe kuadri të aftë dhe të respektuar. Shumë të lidhur me njerëzit dhe gjithnjë pranë tyre, çifti Agim dhe Safo Shehu ishin model i një prezantimi të magjishëm, me shumë tregues të edukatës së avancuar qytetare. Çdo hap i tyre rrezatonte kulturë dhe ndjeshmëri njerëzore.
Jo rrallë edhe kur na ra rasti të banojmë në zonën periferike të Durrësit, rrugën e kemi bërë disa herë së bashku.

Kujtonim lagjen e vjetër, komshijtë tanë që nuk jetonin dhe ndjenim dhimbje për ta. Bisedonim edhe për emigracionin, pasi të tre fëmijët shpejt iu akomoduan në Piaçenca të Italisë. Mezi ndaheshim dhe mezi pritnim të ritakoheshim në ditët në vazhdim. Jeta rrodhi si për çdo familje, me të gjitha uljet dhe ngritjet e saj. Ne u transferuam në një banesë më në brendësi të Durrësit dhe takimet tona u bënë më të rralla. Por malli na mbeti i njëjtë. Dashuria dhe respekti edhe këto nuk lëvizën. Agimi dhe Safo prej shumë vitesh shkuan të jetonin në Piaçenca të Italisë, pranë fëmijve.

Kalova në një dhimbje të thellë dhe të papritur, kur mësova se Safo Shehu, mikesha jonë e vjetër, mësuesja e shkëlqyer që edukoi dhe mësoi shumë breza u nda nga jeta. Ishte nëntori i vitit 2020. E imagjinoj se si do jetë ndjerë Agimi ynë, i urti dhe i miri ynë, fisniku dhe humani ynë. Por fëmijët ju ndodhën afër babait të tyre dhe krahas ngushëllimit, i dhanë më shumë kurajo, shpresë dhe optimizëm për të vazhduar jetën në fazën e një pleqërie të thellë.

Prej 10 ditësh Agim Shehu u prek nga virusi problematik për jetën covid 19. U shtrua me urgjencë në spitalin e Piaçencës. Për 10 ditë iu nënshtrua terapisë itensive dhe më pas intubimit. Fiziku i fortë, por gjithsesi i lodhur nga pesha e rëndë e 92 viteve jetë, hallet dhe problemet jo fort të lehta të kaluara, në këtë libër jetësor prej 92 faqesh nuk mundi ti rezistoi vrastares së tmerrshme të shekullit.

Në orën 20.30, të së enjtes, 18 shkurt 2021, në Piaçenca të Italisë dha frymën e fundit, një nga kolosët e arsimit durrsak, një nga figurat më përfaqësuese të qytetarisë durrsake, një njeri i artë, i drejtë dhe i vlefshëm për shoqërinë e kohës Agim Shehu.Dhimbja është e madhe dhe trishtimi gjithashtu. Lapsi dhe vëmëndja ime nuk kishte se si të anashkalonte këtë figurë, këtë portret plot nur e dritë, këtë ëndërrimtar për ta parë qytetin dhe vëndin e tij një ditë si Italia fqinje.

Profesor i dashur Agim Shehu! Jam i bindur se edhe pa frymë do të ma dëgjosh këtë mendimin tim. Durrësakët e ndalën edhe ata pak frymën për humbjen tënde, pasi i humbi jo pak kultura dhe qytetaria e tyre, jo pak përfaqësuesi civilizimit dhe përpjekjeve për të ndryshuar. Emri dhe aktiviteti yt Agim Shehu, të jesh i sigurtë së nuk kanë për tu harruar nga durrsakët, ku ti i takove dhe iu përkushtove njëqind përqind në të gjallin tënd. Lamtumirë i miri dhe i mënçuri ynë Agim Shehu!