Është për t’u përgëzuar nisma e inspektorit të sporteve në Bashkinë e Durrësit, Edmond Zalla, i cili në bashkëpunim  me KF Teuta dhe Zyrën Rajonale të FSHF-së në Durrës kujtuan në një formë origjinale, një nga figurat e njohura të futbollit durrsak, Nderim Hoxhën. Nderimi ishte titullar me Lokomotivën në periudhën 1958-1968 dhe kryente rolin e mesfushorit. Brezi i futbollistëve me të cilët luajti Nderim Hoxha përfaqësohet nga emra të tillë si: Abdulla Duma, Shyqyri Hasa, Zyhdi Daja, Nazmi Maxhuni, Feti Golashi, Met Myshku, Teli Ciko, Orest Grami, Muharrem Kadiu, Met Spahiu, Petraq Ikonomi, Bardh Kalaja, Mustafa Saraçi, Omir Topçiu, Osman Çoba etj. Ai ishte modeli i futbollistit të qetë e pozicional, i saktë në ndërhyrje dhe mbështetës aktiv i sulmit. Në karrierën sportive zor se Nderim Hoxha të jetë ndëshkuar qoftë edhe njëherë të vetme me kartonin e verdhë, duke mbetur nga futbollistët më pikantë të Lokomotivës për fairplay.

Historike janë markimet e Hoxhës, që i bënte zotit të topit, Panajot Panos. Ai vdiq para katër vitesh, nga një sëmundje e pashërueshme në kokë. Mjekët konstatuan një koagulim të vjetër të gjakut në kokë, që mendohet të jetë bërë shkak për largimin e tij nga jeta. Kujtohet një fakt nga viti 1959. Në një ndeshje në Durrës zhvilluar ndërmjet Lokomotivës dhe Skëndërbeut, Nderim Hoxha kërcen fuqishëm për të prekur topin, por kjo ishte edhe dëshirë e një futbollisti korçar dhe në mënyrë të papritur përplasen kokë më kokë. Shokët e tij të futbollit, thonë se futbollistit durrsak me prejardhje nga Kruja i ishte krijuar një ënjtje e frikshme në ballë, ndërsa futbollisti mik ishte mbuluar nga gjaku duke mos patur probleme të mëtejshme. Ky dëmtim ka mbetur i fshehur për dekada të tëra, derisa një ditë mendohet të ketë ndikuar edhe në humbjen e jetës të Nderim Hoxhës, të këtij futbollisti të shkëlqyer e të urtë. Këto shënime për të janë në natyrë të gazetës Dyrrah, për të njohur lexuesin dhe veçanërisht të rinjtë me protogonistë të historisë së futbollit durrsak në vite.

Ky është edhe qëllimi i organizatorëve, për t’i kujtuar këto figura pas vdekjes, për t’i dhënë meritën që u takon, por edhe të shërbyer si udhërrëfyes, në rrugën e bukur të karrierës për qindra futbollistë të vegjël durrsakë. Ish futbollisti i njohur i Teutës, Dritan Babamusta, që është në detyrën e drejtuesit të Zyrës Rajonale të FSHF-së për Durrësin, mbetet entuziast jo vetëm për organizimin e Kupës të vënë për nder të figurës pikante të Lokomotivës Nderim Hoxha, por edhe për transmetimin e mesazhit tek brezi i fëmijëve të futbollit durrsak. Në turneun “Nderim Hoxha” morën pjesë 4 ekipe për U-14: Teuta, Durrësi 04, Djemtë e Detit dhe Adriatik Sport. Në finale dolën ekipet e Teutës dhe Durrësit 04. Pas rezultatit të barabartë, u gjuajtën nga pesë 11-të metërsha. Futbollistët 14-të vjeçarë të Teutës, të drejtuar nga trajneri Shpend Marku shënuan 4 herë duke pësuar vetëm 3 gola. Fituesve trofeu iu dorëzua nga Agim Hoxha, vëllai i Nderim Hoxhës. Krahas vlerësimit për nivelin që treguan katër ekipet pjesëmarrëse, fjalët e mira shkojnë edhe në favor të organizatorëve. Veprimtari të tilla gjithnjë janë të mirëpritura dhe shoqërohen me jehonën e duhur.