Arkitekti i kantierit në portin e Durrësit, Gani Ismailati, tregon ecurinë e kantierit më të madh në vend, duke sjellë në vëmendje kohët “e arta” në këtë sektor.
Ndoshta është nga të paktët inxhinierë që sot rrëfen në moshën 82 vjeçare. Me gjithë vitet që ka mbi supe, Gani Ismailati arrin të ketë një kujtesë të admirueshme për vite dhe histori që brezat e sotëm, pak i dinë, apo nuk mund t’i marrin me mend. Është i përpiktë, ashtu si akrepat e orës së një gjermani, dhe pavarësisht moshës së thyer, mençuria e tij të imponon respekt, të imponon një vëmendje të veçantë sepse pak njerëz të tillë takon në jetë. Ndërsa thotë se Kanti ka qenë tepër i përpiktë, edhe puna e tij 40 vjeçare në kantierin detar të Durrësit ka qenë e tillë. I pajisur më një dozë të fortë humori pas çdo fjalie, ai trishtohet, teksa e pyesim për Kantierin Detar, në të cilin erdhi pas diplomimit nga Polonia, dhe u largua në 1989, pasi kishte ngritur një industri që kishte shënuar historinë e flotës shqiptare. Bëhet fjalë për kryekonstruktorin e kantierit detar të Durrësit, njeriun që ndërtoi anijen e parë metalike të tonazhit të mesëm së cilës i vuri emrin e vendlindjes së tij “Gjirokastër”. Një “mal” hekuri për atë kohë prej 2700 tonësh, e cila lundrimin e parë e kreu në Detin e Zi. Kishte mbërritur atëherë si brezi i të parëve studentëve që studiuan jashtë vendit, dhe solli në kantierin detar atë revolucion që i kish munguar prej dy shekujsh vendit.
Çfarë ndjeni kur shikoni kantierin në këtë gjendje?
Zhvillova një vizitë para ca kohësh në kantier, pasi më thërret një shok të bënim një vizitë atje. Shkoja pas 10 vjetësh. E kisha lënë kantierin me 1300 punëtorë, kur ndërtonte dhe riparonte anije. Do hyja dhe roja më ndaloi. Nuk më njihte as mua as shokun tim. U futëm në kantier dhe ndjeva një keqardhje të madhe, sepse kur u largova lashë 21 barka në riparim, por çfarë gjeta? Vetëm një barkë e vogël.
Një keqardhje e madhe, një trishtim i madh, sa edhe lotët nuk të bëjnë punë për të shprehur atë çka ndjeva. Kantieri kishte marrë fund, por jo vetëm kantieri. Edhe mekanizmi ngritës, splipi, që ne e kishim ndërtuar me aq gjak dhe mund. Më thanë se ishte prerë për skrap. Kjo është një nga gjërat më të trishtuara për mua. Ishte një industri e cila ka marrë fund. Tashmë edhe ato pak barka peshkimi që janë, shkojnë dhe riparohen në Bari. Në 1994 kur kthehesha nga spitali ku isha kuruar ndaloj në Bari. Porti ishte mbushur plot me anije shqiptare. Vinin dhe merrnin peshk për ta sjellë këtu për tregun vendas. Është për të ardhur keq.
Cilët kanë qenë vitet kur kantieri lulëzonte?
Ne deri në 1991 kishim 1300 punëtorë, të cilët u shërbenin anijeve dhe barkave të vendit tonë e jo vetëm. Nga 1974 kur erdhi drejtor Agron Fishta, erdhën edhe makineritë dhe teknologjia e re. Ai ishte përkrahës i inovacionit. Kjo solli edhe rritjen e fuqisë punëtore. Nga sistemi i kaluar shumë gjëra duheshin ndryshuar, por jo të prishej ekonomia kombëtare.
Cilat ishin idealet e mëdha pasi u ktheve nga studimet 4 vjeçare në Poloni?
Unë u ktheva me Feruz Matajn, i cili vijoi karrierën, por ëndrra ime e madh ishte ndërtimi i anijeve të peshkimit. Atëherë kur erdha kishte vetëm ca barka peshkimi prej druri, të cilat në Evropë ishin zhdukur dy shekuj më parë. Barkat ishin prej druri njësoj si në kohën e Teutës. Ishin jo më shumë se 100 punëtorë. Ndërtuam disa barka por i bëmë me dru të pastazhionuar, dhe pas ca kohësh ato u shtrembëruan, pavarësisht se nuk futnin ujë.
Kur nisi ndërtimi i barkave metalike dhe cila ishte e para barkë e ndërtuar?
Ishte “Rinia” motoskafi i parë i bërë prej metali. Ishte i vogël sa një makinë e sotme. U detyrova dhe gjeta ca hekura, ca llamarina nga plazhi e nëpër port. Kjo ishte vepra jonë e parë në vitin 1965. Sigurova elektrodat dhe nisëm punën. Si përvojë të keqe kishim mbytjen e Titanikut i cili shërbeu si një shembull i mirë për kujdesin që duhej të tregohej.
Titaniku nuk u bë me elektroda, por me pajisje metalike që plasën sapo u goditën nga akulli. Aso kohe ishte hapur plazhi, dhe njerëzit nuk donin të shkonin larg me not pasi donin shëtitje. Atëherë hodha në letër skicat dhe ndërtuam skafin e parë i cili mbajti emrin “Punëtori”. Mbante minimalisht 100 veta që dilnin për pushime. Duke qenë se mora përsipër ndërtimin e një anijeje metalike të madhe, kjo ishte shumë e vështirë. Me peshkatore nisi “bumi” i madh.
Evropa kishte shtretër që i ndërtonte, ne i ndërtuam krejt ndryshe. Nuk kishim makineri, nuk kishim teknologji. Kjo nisi në 1966, kur ne ndërtuam tre rimorkiatorët e rinj. Në këtë vit fitova edhe gradën shkencore dhe i vura vetes ndërtimin e anijeve të mëdha dhe ndërtuam anijen “Gjirokastra”.
Si u ndërtua dhe çfarë vështirësish hasët ?
E bëmë me pjesë ndërtimin e saj, seksione-seksione dhe kështu e hidhnim në det me bigën e madhe “Adem Reka” se vetëm ajo ka qenë. Copa-copa mbrapsht e çonim deri në një farë vendi pastaj i hidhnim në det, dhe aty i montonim. Mendoja që kantieri detar i Durrësit të vazhdonte të ndërtonte anije për dy arsye.
E para i duheshin flotës dhe e dyta duhej ngritur sektori i peshkimit dhe duhej rritur fuqia punëtore, njerëzit donin punë. Në vitin 1968 prodhuam rimorkiatorin e parë shqiptar "Debatik" me fuqi 1000 kuaj fuqi dhe gjatësi 32 m. Në vitin 1970 filloi riparimi i anijes 5000-tonëshe "Durrësi", riparim i cili tregoi aftësitë e rritura të Kantierit Detar, i cili po fillonte tashmë në nivelin e riparimit të anijeve oqeanike. Duke ndërtuar anije, futnim edhe njerëz në punë.
Por me anijen “Gjirokastra” m’u vu pas shtypi me shumë kritika të forta. Ishte vetë ministri që tha të më çonin në gjyq kur gjetëm motorin. Ishte çek i tipit “Skoda”, dhe anija bënte shumë zhurmë. Udhëtimi i parë ishte në Det të Zi, dhe bënte mjaft zhurmë, se ishte dizel. Në atë kohë vjen ministri dhe thotë: “Çojeni në gjyq!” Por më ka mbrojtur drejtori, sepse anija nuk u mbyt, por lundroi për vite të tëra, dhe ishte një anijet më të forta që ka patur flota jonë, në këtë mënyrë shpëtova.
Vazhduam pastaj me ndërtimin e anijeve të tjera. Ndërtuam 100 anije metalike kryesisht peshkatore, anije transporti, 500 tonësh ishin 12 copë të ndërtuara. Deri në ‘91 u ndërtuan mbi 100 anije nga kantieri i Durrësit. Në këtë kohë ndërtuam slipin, i cili ishte një ndër më të mirët në Evropë për riparimin e anijeve dhe për shërbimin e peshkatoreve. Mbaj mend që në vitet ‘60 u hapën kurse për ngritjen e aftësive profesionale me programe të mira teorike dhe praktike për motoristë, elektricistë, mekanikë skafi, saldatorë, vinçierë. Më pas një pjesë e mirë e këtyre kursantëve shërbyen në Flotën Tregtare.
Lufta e klasave ka qenë evidente në çdo sektor, sa e përhapur ishte në kantierin tuaj?
Ndodhi që aty nga vitet ‘80 më thërret drejtori në zyrë. “Gani, më tha inxhinierin e kantierit duhet ta heqim nga puna sipas një udhëzimi që ka ardhur nga Komiteti i Partisë. Pse, i them?” Ai më përgjigjet se inxhinieri ka një kushëri jashtë shtetit. Ishte një situatë për të qeshur e për të qarë. Unë e kisha përgatitur vetë Fatmir Traun, i cili ishte një kompjuter i vërtetë. Shkova në Komitet dhe shefe personeli ishte një grua, e cila më kërkoi në fund që unë të dilja garant të mos arratisej. I dola garant duke firmosur unë për të mos e hequr. Kishte arritur në skaje edhe lufta e klasave.
Qeveritë rrënuan kantierin
Faik Veizi, është një prej punëtorëve që numëron 45 vjet në punë. Ka hyrë çunak, dhe tashmë merr pjesë në operacionin e nxjerrjes së dokut në pjesë nga deti. 30 vjet ka punuar në kantierin detar e më pas në mjetet detare e në shërbime të tjera
Faik, si u shkatërrua kantieri?
U shkatërrua kështu, ja si i ka dhënë grahmat e fundit të shpirtit. Dikur riparonin anije të madha e tragete, me qindra por qeveria e rrënoi. Punësoheshin 2 mijë veta deri në ‘90, ishte kantier i cili riparonte anijet e Europës. Kjo është gjëja më e shëmtuar që i ka ndodhur Durrësit. Kemi pasur volum të madh pune. Sot është shkatërruar krejtësisht, pasi ika nga kantieri kam punuar me bigën “Adem Reka” si nostrom, me dragën e thellimit “Rodonin”, e cila u mbyt në vitin ‘97-ën. Fatin e dragës që thelloi disa herë portin e Durrësit, e cila përfundoi për skrap e ka edhe doku fatkeqësisht. Me dragat e portit ne kemi thelluar portin në Durrës, disa herë, në Shëngjin, Vlorë etj. Me një ekuipazh prej dyzet vetash ne kemi thelluar portin dhe vinim në kantier për riparime e për shërbime.
Çfarë mbani mend nga koha në kantierin detar, si dhe nga biga “Adem Reka”?
Edhe kjo bigë është riparuar në këtë kantier. Pronarët duhet të shkojnë në Greqi kur të vijë koha për riparimin e saj. Punime kapitale janë bërë për shumë anije të mëdha e të vogla si anijet oqeanike "Tirana", "Vlora", "Shkodra" dhe "Arbëria". Me shumë vlerë ishte ngritja e repartit të prodhimeve të reja, sepse aty u realizua ndërtimi i shumë mjeteve detare deri në seri si anije pilotazhi, anije peshkimi, peshkatore, anije 500-tonëshe si "Ali Kelmendi", "Vjosa", "Ylli i Kuq", "Dajti", "Bajram Curri", "Beqir Nova", "Adriatiku", "Tomori", tragete të ndryshme për zonat e liqeneve në veri, si dhe u projektuan e dhe u prodhuan portat e H/C- ve të Veriut.
ALBERT GARORI
Si u ndërtuan anijet e para
“Krahas ndërtimit të anijeve metalike kryheshin riparime kapitale të anijeve të të gjitha tonazheve, në të gjithë tërësinë e anijes me një cilësi të lartë” -shkruan në librin e tij "Anijet Detare" Albert Garori, duke e vlerësuar eksperiencën e krijuar në këtë fushë nga kantieri si një pasuri kombëtare, e cila ishte e trashëguar prej më shumë se 50 vjetësh pune dhe vështirësish nga një personel i kualifikuar. Kantieri Detar i Durrësit e arriti kulmin e tij, sipas specialistit Albert Garori në periudhën mes viteve 1967-1985 kur filloi ndërtimi i anijeve metalike. "Në 85-ën u ndërtua edhe anija e tonazhit 2200 BRT, si dhe një numër i konsiderueshëm anijesh të tjera si transporti, anije peshkimi metalike të tonazheve të vogla dhe të mesme etj. Në vitin 1968, prodhohet anija metalike "Punëtori" dhe më pas lëshohet në det rimorkiatori i parë i prodhimit shqiptar "Debatik" me fuqi 1000 kuaj fuqi dhe gjatësi 32 m. Në vitin 1970 filloi riparimi i anijes 5000 tonësh "Durrësi", riparim i cili tregoi aftësitë e rritura të kantierit Detar, i cili po fillonte tashmë në nivelin e riparimit të anijeve oqeanike. Në vitin 1974, kantieri është transferuar në sheshin ku ndodhet sot “Kurum”. Kjo u bë pas një përvoje 30-vjeçare të tij dhe për këtë u ndërtuan shkallë me përmasa të mëdha në të cilat u lëshuan në det anijet "Saranda" 1000 DËT dhe "Gjirokastra" 2700 DËT. Për këto prodhime kanë dhënë një ndihmesë të veçantë inxhinierët Gani Ismailati, Hysni Peku, Hysni Qehajai, si dhe mjeshtërit Xhevdet Karapici, e Abdulla Curri. Me pas zhvillimet në kantierin Detar vazhduan me krijimin e repartit të riparimit të vaporëve e mjeteve të mëdha detare që arriti të kryejë riparime kapitale të rimorkiatorëve, shalandave, Bigën "Adem Reka", të dragave "Rodon" e "Adriatik" të anijeve 500 tonësh, të avulloreve "Durrësi" , "Partizani", "Liria" etj.
FRAGMENT
Kantieri, si po ngrihet
Një copë historie e sjellë nëpërmjet Gazetës “Bashkimi” sjell te lexuesit një pasqyrë tjetër të historisë “brenda pak ditëve, në portin e Durrësit, menjëherë u ndërtua një kalatë prej druri, ku mund të afroheshin anije me tonazh 7-8 mijë ton. Dora–dorës u rindërtuan depot, u ndërtuan instalime ngritëse, pastruan dhe u sistemuan sheshet e portit, etj. Me këto masa u bë e mundur që në këtë port të shkarkohen deri në 10 mijë ton mallra çdo muaj dhe pak me vonë kjo aftësi u dyfishua. Tonazhi i barkave ishte 1900 ton. Në nëntor të vitit 1946, për nevoja urgjente të portit u morën 30 persona, me zanate të ndryshme, që punonin tek rruga Kukës-Peshkopi, të cilët u vendosën tek kasollet e portit, – kisha e sotme. Gjatë këtij viti u bë i mundur organizimi i punës në kantierin detar për riparimin e barkave prej druri, ndërsa fuqia punëtore arriti në 123 veta. Përmendim si specialistë të parë të kantierit Zef Raboshta, Selami Halili, Qani Velo, Halil Peshkopia, Hysni Vrapi, Isuf Kollaku, Faje Troci, Ahmet Luli, etj. Fillimisht drejtues i portit ka qenë major Osman Sinani, dhe ndihmës të tij ishin Spiro Bakalli, Skënder Musli, ndërsa për marinën luftarake krahas Abdi Matit, ishte Petro Prifti, në 1947 Çelo Arreza, dhe në 1948 – Stavri Çika. Në këtë periudhë kantieri detar i Durrësit brenda 10 muajve, përveçriparimit të motovelierave riparoi edhe mjete detare të tilla si: “Biga MS-02’-80t”, “MS-10”, “MS-12”, “MS-18”, “MS-22”, “MS-30”, “Mauna e hekurt MS-34”,-200 ton”.
Gazeta “Bashkimi”, datë 25 prill 1945