Statuse dhe foto provokative, informacione personale që shihen e mësohen nga të gjithë. Kurrë më parë individi nuk ka qenë kaq i ekspozuar ndaj të tjerëve dhe kurrë më parë nuk ka mundur të komunikojë kaq lirisht në çdo cep të botës dhe në kohë reale me të tjerët. Rrjetet sociale i ftojnë njerëzit të bëjnë gjithnjë dhe më publike jetët personale.

Detajet intime mund të postohen kaq lehtë dhe ndahen me këdo, filtrat e ndarjes së informacionit dhe fotove gjithnjë e më pak përdoren në mënyrë masive; shpesh për shkak të harresës e shpesh për shkak se është e vështirë të kontrollosh lehtë opsionet që ofrohen për këtë qëllim dhe kur gjithçka ndahet në rrjet mbetet përherë aty. Privatësia jote nuk është më e jotja, pasojat e saj po. Ato i mbart vetëm ti dhe familjarët e tu. Në botë raportohen mjaft raste të krimit kibernetik, vitet e fundit ai është shfaqur edhe në Shqipëri.

Po përtej krimeve të pastra që realizohen në internet, në shumë raste të tjera ai është bërë burim konfliktesh ndërpersonale duke gjeneruar edhe krime të tjera. Mjafton të përmendim disa nga rastet e ditëve të fundit për të kuptuar sesa të rrezikuar jemi në shoqërinë e sotme virtuale. Shantazh të dashurës së njohur në facebook (librin e fytyrave) për përfitim parash, plagosje mes gjimnazistësh në Tiranë për komentet e shkëmbyera virtualisht në të njëjtin rrjet, divorce që e kanë burimin në botën virtuale që çdo ditë e më shumë zbardh tradhtitë, na rrëmben privatësinë, pjesë të jetës dhe na ngatërron në një qerthull të reales e virtuales pa kuptuar raportin mes përfitimit dhe degradimit.

Gjithnjë e më shumë rrjetet sociale po vjedhin kohën, jetën tonë, ashtu si asnjë formë tjetër e revolucionit teknologjik të realizuar ndër vite. Ky revolucion pranohet se ka ndikuar në mënyrën e të jetuarit të përdoruesve të këtyre rrjeteve. Ndikimet janë kryesisht në aspektin social e psikologjik. Bulizmi kibernetik po përhapet gjithnjë e më shumë.

Ai ka të bëjë me përdorimin e internetit dhe rrjeteve sociale për të dëmtuar njerëzit e tjerë përmes informacioneve që siguron dhe i përdor për të kontrolluar dhe poshtëruar tjetrin. Gjithsesi duhet pranuar që jemi të ekspozuar ndaj rreziqeve, po vetëm nëse nuk jemi të kujdesshëm, pasi askush nuk mund të thotë që mediat sociale janë vetëm burim rreziku.

Ato kanë thyer sot mentalitete, tabu mbi jetën personale, hapësirat dhe dimensionet e komunikimit. Në jetën e përditshme dëgjon rëndom:“Po ç’bën gjithë kohën në feisbuk vajza apo djali im?!”, “Ja, dhe Rama që zgjedh të cicërojë në Twitter (Cicërimë) dhe media gjurmon çdo fjalë të tij atje”; “Dëgjova se ishin njohur në internet dhe duken kaq shumë të dashuruar”; “Këta të administratës publike gjithë ditën në facebook ose në kafe i ke.”

Ndikimi i rrjeteve sociale në jetën tonë

Menada Petro, pedagoge e psikologjisë dhe pedagogjisë në Universitetin e Durrësit thotë: “Përpos ndikimeve pozitive rrjetet sociale sjellin izolim, vetmi nga konteksi social dhe grupi i të barabartëve, duke penguar jetën sociale. Sot shumica e njerëzve praktikojnë më shumë dialogun me mouse sesa me fjalë ballë për ballë, ndonëse ky dialog është i cunguar dhe përdor fjalë të paplota, si flm, klm, cbr, etj. Është nevoja, kërkesa individuale që e bën individin të zhytet në një bum informacionesh të pafundme, por jo në thellësi të tyre. Janë copëza informacionesh që rrezikojnë ta zhysin individin në një botë irracionale, supersticioze dhe jo të vërtetë, ndërkohë që në këto rrjete kemi dhe përmbysje të imazheve dhe fjalëve të shkruara. Kjo kulturë simbolike, e ngrirë, metalike, pa shpirt, po nxjerr në asistencë si gjuhën e folur dhe atë trupore duke shkatërruar kështu funksionin e komunikimit social.”

 

Raste

Dy nxënës u plagosën në ambientet e shkollës së mesme “Qemal Stafa”, në Tiranë, pas një sherri për motive të dobëta. Nga hetimet rezultoi se konflikti mes adoleshentësh kishte nisur më parë në rrjetin social “Facebook”.

Në Durrës, gjatë këtij viti ka pasur një procedim penal për fyerje, pasi një i ri duke shfrytëzuar fjalëkalimin dhënë në mirëbesim nga partnerja e tij, ka hyrë në profilin e saj dhe lëshuar akuza e fyerje banale.

Modeli tropojan Denis Dunisha është arrestuar nga policia e kryeqytetit për gjobëvënie, pasi kërcënonte të dashurën se do t’i tregonte prindërve të saj një video intime nëse ajo nuk paguante 100 mijë lekë të reja.

Ndërkaq psikologia Armela Bejko pranon se përfshirja në këto rrjete, veçanërisht Facebook, Myspace e Twitter është kthyer në më shumë se një tendencë. “Publikimi i fotove, videove apo komenteve me natyrë seksuale, abuzuese dhe ofenduese për kategori të caktuara shoqërore dhe individë, si dhe vjedhja e të dhënave personale e shfrytëzimi nga të panjohur përbëjnë një risk të vazhdueshëm për të krijuar konflikte që nisin online dhe mund të transportohen në jetën reale. Të gjithë jemi dëshmitarë të këtyre lloj konfliktesh. Një fenomen i përhapur është dhe bulizmi online që ka mjaft ndikim në psikikën e individit krahasuar me bulizmin e drejtpërdrejtë. Vërehen raste sulmesh, talljesh dhe ofendimesh që cënojnë personalitetin dhe privatësinë e personit, duke u etiketuar negativisht, duke përdorur dobësi apo handikape të tyre dhe duke shfrytëzuar faqen apo imazhe për t’u përbaltur moralin dhe dinjitetin. Komunikimi virtual e ushqen edhe këtë formë të dhunës, pasi krijon idenë se ekziston një distancë fizike e madhe mes atyre që konfliktuohen, duke e nxitur edhe më tej konfliktin fillimisht verbalisht e më pas me kërcënime deri sa në disa raste kritike konkretizohen në jetën reale.”- thotë Bejko. 

Ndër të tjera ajo ndalet dhe te nxitimi i adoleshentëve, por edhe personave në moshë më të madhe për të reklamuar hiret trupore dhe emocionet mbi pasione e lidhje dashurore, që mund të shfrytëzohen më pas, ndërsa pohon se kjo media e hapur ofron dhe lirshmëri për të shprehur e ndarë me të tjerët emocione, mendime, por edhe plane të afërta e të largëta. Izolimi social, vetëvlerësimi i ulët, jeta sedentare janë pjesë e përdoruesve të varur të këtyre rrjeteve.

Të mirat e rrjeteve sociale

Mediat sociale sot kanë hapur opsione të reja për zhvillimin e karrierës duke e bërë komunikimin dhe jetën më të lehtë. Ti mund të krijosh, të bashkëpunosh, të diskutosh për tema pafund, të bësh thashetheme me miqtë dhe të panjohurit, të gjesh shokun a shoqen e jetës, mundësitë janë të pafundme. Rreziku nëse nuk je i kujdesshëm gjithashtu mbetet i lartë.

Rrjetet sociale dhe informacionet, fotot që ndajmë në to, por edhe lidhjet që krijojmë mund të kthehen në burim shqetësimesh të pafund, deri dhe keqtrajtimesh, vjedhjesh e krime kundër personit. Vendosja e një balance midis jetës reale dhe asaj virtuale rekomandohet si çelësi i suksesit, për të mos e tepruar dhe parë mediat sociale si një përvojë të dobishme.

NDIKIMET

Ndikimi psikologjik: Ndikimi psikologjik i medias sociale është i madh. Aspekti më i rëndësishëm është aftësia e saj për të lidhur njerëzit rreth botës dhe për të sjellë gëzim pavarësisht largësisë, të gjesh të njohur të vjetër me të cilët kishe humbur lidhjet dhe të vendosësh lidhje me të afërm të largët. Po medalja ka dhe anën tjetër, atë që po bëhet gjithnjë e më problem me raste flagrante. Qëndrimi për orë të tëra në rrjet dhe kthimi në qëllim më vete i komunikimit në internet krijon një varësi me ndikim negativ, përpos shfrytëzimit keqdashës të informacioneve dhe materialeve vizive.

Ndikimi social: Është një nga sukseset më të mëdha të revolucionit mediatik social, përmes krijimit të rrjeteve të mëdha që ndajnë mes tyre identitete, informacion dhe ide. Madje kushdo nga ne ndesh persona që kanë një opinion të tyrin për çdo temë diskutimi. Këto media janë shndërruar tashmë në hapësira reale të opinionbëries, që në mediat e shkruara dhe elektronike mbetet mjet, politikë në duar dhe mendje të kufizuara (në numër) analistësh, opinionistësh. Në rrjet nuk mund të shmangësh papërgjegjshmërinë e disa personave dhe kjo e bën median sociale një det të frikshëm dhe të turbullt

Ndikimi politik: Informacionet dhe gjithçka që ndodh në jetën politike të vendit, por edhe anë e kënd globit janë vetëm një klikim larg. Çdo platformë bëhet e njohur, çdo incident politik gjithashtu, ndërsa njerëzit kanë zërin e tyre, shfaqjen e opinionit të tyre për çdo gjë që ndodh dhe i prek apo jo. Madje kanë mundësinë të njohin më mirë dhe liderët e politikës së sotme, të zgjedhurit e tyre dhe ata që do t’u kërkojnë nesër votën për mandatin e kryebashkiakut, deputetit a këshilltarit bashkiak e komunal. Tashmë politikanët i shfrytëzojnë jo pak këto rrjete për të bërë propagandën e tyre.

Ndikimi ekonomik: Operatorët e ndryshëm ekonomikë i shfrytëzojnë rrjetet sociale për shkak të audiencës së lartë që ato kanë. Përveç reklamimit të produkteve në këtë audiencë masive përfitohet dhe reagimi i shpejtë, pa kosto i përshtypjeve të konsumatorit ndaj produkteve dhe shërbimeve të ofruara. Ndikimi ekonomik konsiderohet nga më pozitivët për rritjen e të ardhurave dhe marrjes së përshtypjeve nga bizneset. Por edhe për konsumatorët mediat sociale ofrojnë një pafundësi zgjedhjesh dhe shkëmbim informacioni mbi shërbime dhe produkte të caktuara me konsumatorë të tjerë, duke përfituar dhe kërkuar cilësinë dhe çmimin më të mirë.

 

FB, shkel privatësinë?!

Një ngjarje e pazakontë ka tronditur të paktën disa qindra përdorues të Facebook-ut të cilët kanë gjetur të publikuar në muret (wall) e profileve përkatëse bisedat e tyre private të bëra para 3-5 vitesh. Ndonëse janë përpjekur të fshijnë bisedat ato kanë qenë të lexueshme nga të gjithë miqtë. Reagimi ka qenë i menjëhershëm aq sa autoritetet franceze kanë kërkuar të zbardhet nëse ky është një rast i pastër i thyerjes së privatësisë së përdoruesve të këtij rrjeti social, apo një problem i sistemit, ndërkohë që përfaqësuesit e rrjetit kanë mohuar shfaqjen e mesazheve private.