Maturantët do të japin këtë vit vetëm dy lëndë me zgjedhje. Eksperimenti i bërë vitin e kaluar, kur atyre iu dha mundësia të merrnin tri të tilla, nuk do të përsëritet. Ministria e Arsimit e ka vlerësuar këtë proces joefektiv dhe të tejzgjatur, ndaj ka vendosur t’i rikthehet rregullit të vjetër. Këtë vit, gjithashtu, maturantët për herë të parë do të kenë mundësi të zgjedhin dy gjuhë të huaja. Njëra prej tyre detyrimisht duhet të jetë gjuhë e huaj e parë, ndërsa tjetra duhet të jetë gjuhë e huaj e dytë.

Diferencën e bëjnë kreditet që i përkojnë secilës. MASH gjithashtu po sheh mundësinë e rritjes së sigurisë në procesin e administrimit të provimeve. Gjithçka e bëri me dije dje, gjatë një takimi me gazetarët, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Ai shtoi se për herë të parë këtë vit nxënësit do të plotësojnë online formularin A1, ku caktojnë lëndët me zgjedhje. “Në këtë mënyrë, ne përfundojmë dixhitalizimin e plotë të Maturës Shtetërore. Ne nisëm vitin e kaluar me formularin A2, ku maturantët zgjodhën online 10 degët e preferuara të shkollës së lartë. Këtë proces e finalizojmë këtë vit”, tha Tafaj. Ministri deklaroi se Matura 2013 nuk do të ketë ndryshime të tjera thelbësore.
 

Bllokuesit e celularëve

Kopjet me celularë ishin vitin e kaluar një prej problemeve më të mprehta të Maturës Shtetërore. Pavarësisht përpjekjeve të MASH për të zbatuar rregulloren e provimeve, nxënësit gjetën mënyra nga më të ndryshmet për të futur në klasa celularë, duke i përdorur për të marrë të gatshme përgjigjet e pyetjeve. Ministria e Arsimit është në tratativa me kompanitë celulare që këtë vit të rrisë masat e sigurisë. Kjo nuk do të arrihet duke shtuar administratorët e provimeve, por me një metodë të re të përdorur në disa raste nga partitë politike. Aparaturat që bllokojnë valët e celularëve janë parë si mënyra më e mirë për të shmangur kopjet gjatë provimeve. “Ne jemi duke negociuar me kompanitë celulare për instalimin e këtyre aparaturave në 240 ambientet ku do të zhvillohen provimet. Nëse ata marrin përsipër ta realizojnë, Ministria e Arsimit do të mbulojë kostot”, tha dje Halit Shamata, i pranishëm në takimin me gazetarët. Sipas tij, vendosja e “zhurmuesve” do të zeronte mundësinë e komunikimit të nxënësve me celularë në ambientet e provimeve.

Lëndët me zgjedhje

Nga sa ka përcaktuar MASH, shuma e krediteve për provimet me zgjedhje nuk mund të jetë më e vogël se 8. “Numri i lëndëve me zgjedhje duhet të jetë 2. Maturantët e shkollave artistike kanë të drejtë të zgjedhin vetëm njërën nga lëndët e dhëna në tabelë”, thuhet në udhëzim.